Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me grabitjen e sotme në zonën e ish-bllokut. Gazetari Igli Çelmeta raporton se shuma e parave të grabitura është e konsiderueshme, por ende nuk dihet sa.
Sipas gazetarit, taksisti ka pasur rolin e transportuesit të parave, pasi ai po i merrte nga një pikë e këmbimit valutor dhe do ti transportonte drejt një banke të nivelit të dytë.
“Dy persona ende të paidentifikuar i kanë marrë një shumë parash një taksisti, i cili kishte marrë paratë nga një pikë e këmbimit valutor dhe do ti dërgonte në një bankë të nivelit të dytë, pra taksisti ka pasur rolin e transportuesit.
Ai i kishte paratë në një qesë dhe sapo doli nga Exchange i vendosi në makinën e tij. Në momentin kur ai ka qenë në trafik dy autorët i kanë thyer xhamin dhe i kanë marrë paratë dhe janë larguar. Taksisti ka njoftuar policinë, e cila ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë”, tha gazetari.
Sipas tij ngjarja ka qenë e mirëorganizuar, pasi ka dyshime se autorët kanë studiuar lëvizjet e taksistit.