Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar nga SPAK, në bashkëpunim me ndërkombëtaret për goditjen e një grupi kriminal që kryente trafikun e lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt atyre të BE-së. Në pranga kanë rënë shtetasit Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri, të cilët u arrestuan paraditen e sotme si rezultat i kontrollit të banesave dhe ambienteve të tjera në kuadër të operacionit.
Operacioni i përbashkët ndërkombëtar u zhvillua mes SPAK, Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë që arrijnë vlerën e 60 milionë euro.
Ditën e sotme, ashtu siç u raportua e më herët, u zhvillua dhe operacioni, nga ku janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera. Nga ky operacion u mundësua arrestimi i dy shtetasve J.K., dhe A.M., ashtu sikurse janë gjetur e sekuestruar nën cilësinë e provës materiale 30 mijë euro, 6 mijë paund, 2 automjete, 1 armë, 4 orë “Rolex”, 26 aparate celularë, dokumente, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.
SPAK sqaron se nga hetimet, ka rezultuar në ekzistencën e një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të BE-së, e kryesisht Italinë.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.
NJOFTIMI I SPAK-ut:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 25.09.2024, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer një operacion të përbashkët në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”.
Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.
Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.
Sot, më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë, janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambjente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.