Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka filluar punimet këtë të diel në Nju Jork në sesionin e 79-të, ku do të mblidhen liderët botërore, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.
Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.
Në një axhendë tepër të ngjeshur që nis ditën e stome me samitin e së ardhmes dhe vijon për disa ditë, është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me 6 liderët e Ballkanit perëndimor.
Sipas njoftimit të komisionit europian, sesioni i OKB-së në Nju Jork do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josef Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve. “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”- është shprehur sekretari Guterres.