Hamdi Nuhiju
Jam vonë. Kam nisur me i mbledh plaçkat për të ikur në shtëpi. Autobusi po më pret. Po fryn një erë e ftohtë vjeshte e cila të ngrin ma shumë se në dimër! Në këtë zallamahi vjeshte po më shkon në mendje dilema frojdiane: a e ka kapur syri i piktorit dashurinë?!
Semafori nuk punon. Fillova të nervozohem. Sirenat e veturave janë bërë të padurueshme ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë janë me ngut. Dhe ja më erdhi radha të ecë në vizbardha!
Nëse dashuria ka formë dhe përmbajtje atëherë pse të zihet fryma? Të gjithë flasin për ndjenjën, po ndjenja ku është? A e takoi dikush t`i ndërroj dy fjalë me të?!
Zemra filloi të më rrah. Jam skuqur! Nuk kam shenja buzëqeshjeje në fytyrë. Me padurim pres të përfundoj kjo torturë e përditshmërisë për t`u kthyer në shtëpi.
Mesiguri ekziston ndonjë piktor në botë që ka arritur të kap ca dromca dashurie. Lexuesit njëzëri thonë: Një nënë me një foshnje në krah! Të shkoi mendja aty?
Marr frymë thellë dhe kujtoj çastin kur në verë paprimtas të dashurit të lagin me ujë! Dhe ti nuk ke asnjë zgjidhje tjetër përveç buzëqeshjes.