Të paktën 22 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Administratës së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal, lidhur me çështjen publikoi një deklaratë me shkrim nga llogaria e tij në platformën e medias sociale Telegram.
Ai tha se Izraeli vazhdoi sulmet e tij në rajone të ndryshme nga veriu i Rripit të Gazës, e deri në kufirin Rafah në jug.
“Humbje jetësh janë regjistruar në pjesën veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës, në kampet e refugjatëve Jabalia dhe Nusseirat si dhe në qytetin Rafah”, tha Basal i cili shtoi se në sulmet e Izraelit humbën jetën 22 palestinezë, përfshirë në mesin e tyre edhe fëmijë.