Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, është liruar me kusht nga burgu që po vuante dënimin e tij.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përberë nga Alfred Konomi, në Gjykatën e Shkallës së Parë së Fierit, në të cilën u zhvillua seanca gjyqësore ndaj kërkesës për lirimin me kusht që u shtrua nga Beleri.
Eurodeputeti grek u përfaqësua nga avokati Geni Gjyzari.
Kjo nuk ishte hera e parë që Beleri kërkoi lirimin e tij me kusht, pasi tre seancat e mëparshme gjyqësore ishin të dështuara për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Kujtojmë se Fredi Beleri ishte i dënuar me dy vite burgim teksa akuzohej për korrupsion në zgjedhje, pikërisht për blerje votash.
Seanca e sotme pritej të ishte përfundimtare për Belerin, i cili tashmë do të jetë i lirë, teksa u prit e nga disa media greke jashtë Gjykatës.
LEXO EDHE:
Rrugëtimi i Fredi Beleri në burg
Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel.
Edhe pse i arrestuar Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Për shkak të arrestimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin.
Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri.