Lidhur me ngjarjen e rëndë të datës 29 gusht në Shkodër, ku u vendos një sasi lëndë plasëse pranë një agjencie funerale, janë mësuar detaje të reja dhe është shpallur në kërkim një 35 vjeçar.
Uniformat blu janë mobilizuar për kërkimin, gjetjen dhe arrestimin e shtetasit B.P., 35 vjeç, i cili dyshohet si autori i kësaj ngjarje, e po kështu është me precedent të mëparshmë penal për ‘armëmbajtje pa leje’.
Sipas hetimeve të kryera ndaj këtij rasti, u zbulua se 35 vjeçari vendosi tritolin në derën e agjencisë funerale për shkak të një borxhi të pashlyer.
Kujtojmë se në orët e para të mëngjesit të datës 29 gusht, në lagjen “Skenderbeg” një sasi lëndë plasëse, tip tritol, është vendosur në derën e agjencisë funerale, në pronësi të bashkëshortëve F.F. dhe A.F. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.
Sakaq, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme teksa vijon kërkimi për gjetjen dhe vënien përpara drejtësisë të 35 vjeçarit.
NJOFTIM
Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur në lagjen “Skenderbeg” në oret e para të mëngjesit të datës 29.08.2024.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim 35-vjeçari që dyshohet se hodhi lëndë plasëse, në derën e një agjencie funerale, ditën e djeshme.
35-vjeçari, me precedent penal për armëmbajtje pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen “Skenderbeg”, ku u hodh një sasi lënde plasëse në derën e agjencie funerale, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin B. P., 35 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se për shkak të një borxhi të pashlyer, ky shtetas ka hedhur në derën e agjencisë funerale në pronësi të bashkëshortëve F. F. dhe A. F., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.