Mësohet se ka ndërruar jetë ish-basketbollisti 60-vjeçar i njohur si Alban Kukaviqi, i cili pak kohë më parë u plagos nga helika e një gomoneje që kishte kaluar zonën kufizuese në plazhin e Vlorës.
60-vjeçari i cili kishte shkuar në pushime me familjen në muajin korrik, pasi u plagos në këmbë u nis drejt Turqisë për të marrë mjekim më të specializuar, por nuk arriti dot të mbijetonte.
Burime bëjnë me dije se Alban Kukaviqi humbi jetën gjatë operacionit të tretë që po bënte për këmbën. Ai do vinte një protezë, por për shkak të dobësimit nga dy operacionet e para, ai nuk arriti të mbante narkozën.
Inspektorati Shtetëror i Punës, ku Kukaviqi ishte punonjës, ka bërë gjithashtu një postim në rrjetet sociale, ku i ka shprehur ngushëllime familjarëve.