KB “Junior 06” në Superligën e Kosovës në basketboll për femra do ta drejtojë Arbër Rushiti.
Arbri ka qenë një talent i rrallë i basketbollit, mirëpo ëndrrën për t’u bërë basketbollist i nivelit ndërkombëtar ia ndërpreu një lëndim i rëndë.
Megjithatë Arbri nuk u nda për asnjë çast nga basketbolli. Pas lëndimit e nisi zejen e trajnerit. Fillimisht drejtoi gruposhat e reja dhe njëherësh ishte demonstrues fantastik i elementeve të basketbollit. Kjo dhe aftësitë e tij bënë që një kohë të jetë edhe trajner i KB Bashkimi.
Ndërkohë, në edicionin e ri të basketbollit femëror, Arbri do të jetë në postin e kryetrajnerit të KB “Junior 06” – anëtarit më të ri të Superligës së femrave.
“Po, Arbri është një trajner tashmë me përvojë dhe aftësi të mjaftueshme për të drejtuar skuadrën tonë në elitën e basketbollit femëror.
Ka skuadër të mirë me lojtare cilësore ndërkombëtare dhe talente të basketbollit që janë kryesisht produkt i shkollës sonë.
Do ta ketë besimin, por edhe mbështetjen tonë drejt sukseseve në basketbollin kosovar”, ka thënë kryetari i KB “Junior 06”, Ramush Rushiti.
Arbri do të jetë njëri ndër trajnerët më të rinj të historisë së basketbollit që do ta drejtojë një ekip në Superligën e Kosovës.