Klement Islamaj, 40 vjeçari i cili ka shtyrë babain nga shkallët pasi ai i kishte vrarë nënën më herët, është shprehur përpara uniformave blu se ishte një gjë e paqëllimtë e se në fakt ndodhi padashje.
Mes lotësh, ai u shpreh se i ati dy ditë më parë kishte dhunuar nënën.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja e rëndë që i moshuari vrau bashkëshorten me sëpatë, ai ndodhej në lokalin e fshatit me shoqërinë e tij.
Nga banesa dëgjoheshin zhurma dhe kanë qenë bashkëfshatarët ata që e kanë këshilluar të shihte se çfarë po ndodhte, e ky ka qenë momenti i tmerrshëm që Klement Islamaj ka parë skenën e krimit.
Ka nisur konflikti mes tij dhe të atit dhe në një moment ka tentuar ta largojë nga vetja, por 69 vjeçari u pengua dhe u rrëzua nga shkallët, duke gjetur kështu vdekjen.
“Nuk kisha qëllim ta vrisja”, u shpreh ai mes lotësh përpara grupit hetimor.
Klement Islamaj: Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja