Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me arrestimin e reperit Rigels Rajku ose i njohur si Noizy dhe DJ Crax.
Përmes një njoftimi zyrtar, uniformat blu sqarojnë se arrestimi i tyre u bë pas shpalljes së tyre në kërkim nga autoritetet kosovare, e se do të ekstradohen drejt Kosovës.
Arrestimi i tyre u bë nga njësia “FAST Albania”, në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, ët cilët ishin në bashkëpunim me FAST Kosova.
Kujtojmë se Noizy dhe DJ Crax u arrestuan në Shëngjin.
Reperi dhe grupi i tij dhunuan brutalisht personazhin e TikTok-ut, Medi Iseni. Po kështu dhe Alkimed Lushaj, ose i njohur ndryshe si Stresi, është shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër, Stresi nuk pranon të ketë ushtruar dhunë por sipas tij ka ndërhyrë mes personazheve për të ndaluar konfrotimin fizik të reperit e grupit të tij me Medi Iseni.
NJOFTIM
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.
Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.