Mjeku Edmond Gashi është paraqitur në ambientet e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i shoqëruar nga përfaqësuesi i tij ligjor.
Duket se mjekët e Onkologjikut kanë zgjedhur t’u largohen gazetarëve me pretendimin se janë duke folur në telefon.
Teksa ka mbërritur pranë GJKKO-së, nuk ka dhënë asnjë koment për gazetarët e pranishëm.
Mjekët e repartit të Onkologjikut, të cilët akuzohen se nuk jepnin trajtimin e nevojshëm pacientëve me sëmundje kancerogjene në hapësirat e spitalit publik, por i dërgonin në klinika private, priten të njihen me masën e sigurisë nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kujtojmë së më parë Gjykata e Tiranës la në fuqi masat ndaj 7 të akuzuarve të përfshirë ne skemën abuzive në Departamentin e Onkologjikut në QSUT.
- Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”
- Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
- Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
- Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
- Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
- Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” u la në masën “Arrest në shtëpi”.
- Për Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi ajo ishte jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.