Atentati i ndodhur në Memaliaj një natë më parë me synim eliminimin e anëtarëve të familjes Kalemi duket se i ka “rrënjët” më të thella, pasi dyshohet se sulmi të jetë porositur nga Dubai.
Gazetari Igli Çelmeta, i ftuar në studion e News 24, bazuar në informacionet policore, u shpreh se “atentati është kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa pista kryesore ku po hetohet janë përplasjet mes fiseve Kalemi dhe Papa”.
Çelmeta sqaron se seria e krimeve nisi kur u ekzekutua me tritol të vendosur në automjet Aleksandër Sadikaj, i afërm me fisin Kalemi. Pas ngjarjes së rëndë, nisi një “zingjir” krimesh e atentatesh, mes të cilave mbeti i vrarë dhe Edmond Papa, i cili dyshohet të ketë qenë porositësi i vrasjes së Sadikajt.
Ai tha se përsa i përket sulmit të mbrëmshëm, uniformat blu kanë mbledhur pamjet nga kamerat e sigurisë, ndërsa në të shfaqet automjeti tip BMW, ngjyrë e zezë, që u gjet disa orë më pas duke u djegur në zonën e Mallakastrës.
Gazetari raporton se autorët kanë vepruar me shpejtësi, ndërsa kanë dalë lirshëm nga territori i Memaliajt. Sipas tij kjo mund të ketë ndodhur për shkak se në një qytet të vogël, ku nuk kanë ndodhur ngjarje të rënda, ka një numër më të kufizuar të oficerëve të policisë.
Kujtojmë se viktima të atentatit të së shtunës mbeten Shyqyri Kalemi (i ati i Andrea Kalemi), Gledio Muka (kamarieri i lokalit) dhe Marsel Çela (klient). I plagosur mbeti Artur Kalemi, i cili është vëllai i Shyqyriut e njëkohësisht xhaxhai i Tiku Kalemit.
Çela dhe Muka janë viktima të cilët nuk ishin nën shënjestrën e autorëve, por u kapën nga breshëria e plumbave, të cilat ishin llogaritur për vëllezërit Kalemi.
Shyqyri Kalemi ishte i ulur në tavolinën e jashtme të lokalit se bashku me vëllain e tij, Artur Kalemi. Pranë tyre ndodhej e 36 vjeçari, Gledio Muka. Ndërkohë klienti i lokalit ndodhej në ambientet e brendshme por nuk i shpëtoi sulmit.
KUSH ËSHTË ANDREA KALEMI
Andrea Kalemi në vitin 2001 rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht, më 13 prill 2001.
Në 2017-ën u arrestua në Tiranë me 2 të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, kundërshtuan punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Dyshohet se u përfshi në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor 2022, ndërsa arriti ti shpëtojë dy atentave/
Në gusht të 2023 Andrea Kalemi u tentua të vritej në ishullin Pax të Greqisë, por 51 vjeçari mbeti i plagosur, ndërsa në dhjetor të këtij viti u plagos në një burg grek. Ndërkohë në janar 2024, Zamir Kalemi i shpëtoi atentatit kur persona ende të paidentifikuar qëlluan makinën në të cilën udhëtonte pranë rrethrrotullimit të Selitës në Tiranë. Ai u plagos në këmbë.
LEXO EDHE:
Atentat me armë zjarri në Memaliaj, 3 viktima e 1 i plagosur rëndë (Emrat)