Pas zjarrit që përfshiu një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme në Dhërmi, ka reaguar Policia e Shtetit duke dhënë detajet e para mbi arsyen e flakëve. Sipas uniformave blu dyshohet se shkaku ka qenë një shkëndijë elektrike prej tensionit të lartë.
Nga njoftimi zyrtar i bluve, flakët kanë rënë në lagjen “Kondraq”, e se në vendngjarje janë vendosur policët të cilët po ruajnë perimetrin e sigurisë, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm.
Përsa i përket fikjes së plotë të zjarrit, po vijojnë punimet nga shërbimet zjarrfikëse, efektivët e policisë, punonjësve të OSHEE-së dhe helikopterit të Forcave të Armatosura.
Njoftimi i policisë:
Himarë/Informacion paraprak
Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.