Kombëtarja e Turqisë ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Austrisë për t’u kualifikuar kështu në fazën çerekfinale të Kampionatit Evropian 2024.
Golin e epërsisë Turqia e gjeti që në minutën e parë, ku pas një tollovie brenda zonës, Merih Demiral veproi shpejtë dhe e çoi topin në rrjetë për 1-0.
Rastin më serioz Austria në pjesën e parë e pati në minutën e dytë shtesë me anë të Christoph Baumgartner i cili me një vollej goditje ishte fare pranë golit të barazimit.
Me epërsi minimale të Turqisë u mbyllën 45 minutat e para të këtij ballafaqimi.
Marku Arnautovic (51’) shpërdoroi një mundësi të artë shënimi kur u gjend i pa markuar ballë për ballë portier Gunok, por duke mos arritur të shënojë.
Turqia realizoi golin e dytë në minutën e 59-të, ku sërish në skenë doli Merih Demiral që realizoi për 2-0 pas krosimit të Arda Guler.
Austria u rikthye në lojë në minutën e 66-të kur shënuan me anë të Michael Gregoritsch i cili nuk gaboi përballë portës për 2-1 pas asistimit të Stefan Posch.
Baumgartner (85’) pati një tjetër mundësi të mirë shënimi, por gjuajtja e tij me kokë shkoi fare pranë shtyllës.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Turqia arriti që ta menaxhojë mirë epërsinë që kishte krijuar duke mos lejuar që të pësojë gol dhe kështu mori kualifikimin në çerekfinale. Në fazën çerekfinale Turqia do të përballet me Holandën që sot mposhti me rezultat të thellë 3-0 Rumaninë. /telegrafi