Apeli i GJKKO, ka lënë në fuqi sekuestron për pasuritë e ish-shefit të Operacionales, Oltian Bistri, i cili ndodhet në burg si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
SPAK ka sekuestruar 3 milionë euro pasuri të Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij, të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për ish-shefin e Operacionales.
Nga verifikimet pasurore ka rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij.
Në total janë sekuestruar prona
➢ 22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi);
➢ 10 – Apartamente;
➢ 1 – Vilë;
➢ 1 – Truall;
➢ 1 – Garazh;
➢ 1 – Automjet.
Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro.
Oltian Bistri është arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza” pasi dyshohet se në vitin 2016 është përfshirë në veprimtari kriminale. Ndaj Oltian Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.