Brenda tre muajve të parë të vitit të ardhshëm, në Kosovë pritet të ngritet aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Burime të REL-it thonë se hetimet e këtij rasti janë duke vazhduar në mënyrë intensive, ndërsa aktakuzat për personat e përfshirë do të kompletohen gjatë vitit 2024.
Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se rasti i Banjskës është ndër më komplekset për sistemin e drejtësisë dhe, si i tillë, kërkon kohë dhe kujdes për t’u shqyrtuar.
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte veriun e Kosovës – pretendime që i hodhi poshtë Beogradi zyrtar.
“Nuk ka vonesa”
Më shumë se dy muaj pas sulmit, ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është vonuar fare në ngritjen e aktakuzës, pasi, sipas tij, rasti është shumë i ndërlikuar.
“Ky rast kërkon që të punohen shumë prova, formale e materiale, një numër i madh i dëshmitarëve… Konsideroj se nuk ka vonesa. Janë edhe ekspertiza të ndryshme që duhet të bëhen. Mendoj se është në suaza të procedurës normale e reale”, thotë Syla.
Sipas tij, vërtetimi i rastit para gjykatës duhet të bëhet sa më denjësisht.
“Inkuadrimi i menjëhershëm i prokurorit do të thotë shumë, sepse do të kemi një aktakuzë profesionale, një aktakuzë të bazuar në prova, të cilën nuk do të mund ta kundërshtojë askush, e as vetë Radoiçiq”, thotë Syla.
Ai shton se vonesa eventuale mund të ketë, sepse hetimet do të zgjerohen për ta provuar edhe përfshirjen e shtetit të Serbisë në rast.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me vetëm një vepër klasike të terrorizmit, sepse me të ndërlidhen edhe disa veprime të tjera, si: shtytje, planifikim, furnizim me armë, mbështetje dhe planifikim i terrorizimit”, thotë Syla.
Mendim të ngjashëm shpreh edhe ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha.
“Duhet punë e madhe, bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar… Kanë qenë disa persona, ka qenë një hapësirë e madhe ku kanë vepruar, kështu që duhet kohë, duhen prova të tjera bindëse për t’u argumentuar provat aktuale…”, thotë Hoxha.
Sipas burimeve të REL-it në polici, deri më tash janë identifikuar 38 persona që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Banjskë. Prej tyre, 31 kërkohen për t’u arrestuar.
Për personat që tashmë janë në paraburgim në Kosovë, e që janë disa, janë duke u ekzaminuar të gjitha provat.
“Unë besoj se ka prova të mjaftueshme që të dalë një aktakuzë e qëndrueshme dhe e pakontestueshme”, thotë Hoxha.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se MPB-ja do të kërkojë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.