Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se grupi militant palestinez i Hamasit nuk është organizatë terroriste, por grup çlirimtar që lufton për të mbrojtur tokat palestineze.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka dënuar vrasjet e civilëve nga Hamasi më 7 tetor, por i ka bërë thirrje Izraelit që të përmbahet në kundërpërgjigje. Ankaraja e ka kritikuar fuqishëm bombardimin e Gazas nga Izraeli.
“Hamasi nuk është organizatë terroriste, është grup çlirimtar, ‘muxhahedin’, që po zhvillon betejë për të mbrojtur tokat dhe popullin e vet”, ka thënë ai, raportoi Reuters.
Erdogani ka kritikuar ashpër edhe fuqitë perëndimore për mbështetjen e bombardimit të Gazas nga Izraeli dhe ka bërë thirrje për armëpushim.


