Nga rrënojat e tërmetit tragjik të Turqisë ende po shpëtohen jetë. Mediat turke edhe sot kanë raportuar për shpëtimin e një të moshuare 70 vjeç e cila pas plot 122 orëve u gjet e gjallë.
“A paska ende botë?
-Ka botë teze, ka. Eja ti.
Mirë se erdhe teze!”
Nga Hataj vjen mrekullia tjetër. Foshnja 2 muajshe arriti të mbijetojë plot 128 orë nën rrënojat e ndërtesës në Byjykshehir.
Ndërkaq forcat e rendit të Turqisë nga ana tjetër vazhdojnë me arrestimet e personave të cilët duke keqpërdorur gjendjen kaotike me tërmetin, po kryejnë vjedhje në supermarkete dhe vend të ndryshme.
Presidetni turk Rexhep Taip Erdoan sot vizitoi rajonin e prekur të Dijarbakërit.
“Unë kërkoj prej jush vetëm 1 vjet kohë dhe me lejen e Zotit të gjithë ndërtesat do të ndërtohen. Ashtu siç kemi bërë në çdo periudhë përsëri të bashkuar do të veprojnë dhe do të realizojmë qëllimet”- tha Rexhep Taip Erdoan, President i Turqisë.
Në Siri, sakaq, presidenti Bashar al Asad kreu vizitën e parë në zonat e prekura nga tërmeti. Siç raportoi media shtetërore siriane, ai së bashku me gruan e tij Asma, vizituan një spital në Alepo. Qeveria e tij ka miratuar ndihmën humanitare për gjithë linjën e frontit në luftën civile 12-vjeçare, një lëvizje kjo që mund të ndihmojë miliona njerëz që kanë nevojë urgjente për ndihmë.