Ukraina vazhdon të insistojë se raketa që ra mbi Poloni është qëlluar nga Rusia. Por NATO, SHBA e madje vetë Polonia nuk mendojnë kështu. Megjithatë ka disa pikëpyetje mbi copat e raketës që ra mbi Poloni
Lajmi për një shpërthim në Poloni shkaktoi dridhje dhe frikë në të gjithë aleancën perëndimore.
Megjithatë, shumë shpejt, ekspertët nisën të shqyrtojnë fotot e rrënojave nga Polonia. Shumë prej tyre ishin dakord se dukeshin si pjesë të një rakete të mbrojtjes ajrore S-300, e prodhuar në Rusi.
Që do të thoshte se ka të ngjarë që ta kishte qëlluar Ukriana, pasi ajo kërkon të mbrojë furishëm qytetet e saj nga një tjetër sulm masiv rus nga ajri.
S-300 është një raketë tokë-ajër, e prezantuar në vitet 1970 dhe ende përdoret gjerësisht në të gjitha vendet e Bashkimit Sovjetik të vjetër, duke përfshirë edhe Ukrainën.
Ndërsa shumica e anëtarëve të NATO-s tani duket se janë dakord për copat e gjetura në vendin e ngjarjes, ende mbeten pikëpyetje se si mbërritën atje.
A ishte ky rezultati i një interceptimi të suksesshëm diku mbi qiejt e Ukrainës perëndimore, apo një nga raketat e saj të mbrojtjes ajrore ‘humbi’ rrugën?
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se qeveria e tij ishte gati të dorëzonte prova se kjo ishte në të vërtetë një raketë ruse. Ukraina, tha ai, po pret që aleatët e saj të ofrojnë provat e tyre.
Është një moment i vështirë: mbrëmë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se ideja se një raketë ukrainase ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim në Poloni, është një teori konspirative ruse.
Por zyrtarët perëndimorë janë të prirur të theksojnë se për asnjë nga këto nuk është faji i Ukrainës.