Autoritetet italiane kanë arrestuar 4 persona të cilët akuzohen për organizim të emigracionit të paligjshëm.
Sipas medieve italiane, ata organizonin martesa mes qytetarëve italianë, britanikë dhe francezë dhe personave nga vende jo anëtare të BE, me qëllim marrjen e lejes së qëndrimit.
Mes personave të arrestuar janë një shtetase italiane 48-vjeçare me precedentë të mëparshëm dhe një 36-vjeçare rumune ndaj të cilave është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg”.
Ato merreshin me fazën paramartesore, duke u kujdesur për procedurat administrative.
Janë ndaluar edhe dy meshkuj, një shtetas italian, 44 vjeç dhe një shqiptar 53-vjeçar me banim në Firence, ndaj të cilëve është dhënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Autoritetet italiane kanë vendosur “Detyrim paraqitjeje” për pesë persona të tjerë.
Ata akuzohen se vinin në dispozicion të dy grave organizatore dokumentet e tyre të identitetit, të cilat më pas falsifikoheshin ose modifikoheshin dhe më pas u jepeshin shtetasve të huaj për të bërë hyrje të paligjshme në shtetin e huaj, për të rezervuar dokumentet e nevojshme të udhëtimit dhe për të garantuar kalimin në kufi. /Abcnews. al