Në një artikull të sajin, media prestigjioze amerikane CNN, i bën jehonë bregdetit shqiptar teksa fton ndjekësit e saj që ta vizitojnë vendin tonë. Teksa liston vende si Franca, Portugalia, Spanja, Italia e Greqia, CNN nuk lë mënjanë jugun e Shqipërisë. Sjell në vëmendje jo vetëm detin, por edhe historinë, ushqimin, çmimet e mikpritjen.
“…Shumë më pak e prekur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende disi një sekret që vizitohet nga udhëtarët e zgjuar, por gjasat që të qëndrojë e fshehur për një kohë të gjatë janë të pakta. Kroatët dhe europianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar. Është përrallor, është tepër i lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është këtu.”
Artikullin në fjalë e përcolli në rrjetet sociale edhe Kryeministri Edi Rama.
“EDHE CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Europës. Ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediat ndërkombëtare. Koha kur Shqipëria verore dilte tek-tuk në ndonjë media të huaj, si vend i mbushur me plehra i përket të kaluarës, tanimë kemi hyrë në një rrugë të re. Na duhet shumë punë akoma në këtë rrugë, por e dimë ku duam të shkojmë, si shkohet aty ku duam dhe se sa të mëdha i kemi dëshirën, energjinë e durimin për t’ia dalë”, shkruajti Rama./tvklan.al