Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të premten për shmangien e retorikës tensionuese, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë të çmilitarizojë ishujt në detin Egje, duke shtuar se “nuk po bënte shaka” me paralajmërimin.
“Ftojmë Greqinë të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk po bëj shaka, po flas seriozisht. Ky vend (Turqia) është i vendosur”, tha Erdogan.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe të mbrohet.
“U bëjmë thirrje aleatëve tanë të shmangin retorikën që mund të rrisë më tej tensionet. Për Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe Turqia janë të dyja partnere të forta dhe aleate kryesore të NATO-s”, vazhdon reagimi i Departamentit të Shtetit..
Greqia dhe Turqia kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje për çështje si kufijtë detarë dhe pretendimet në Detin Mesdhe, si dhe hapësirën ajrore, emigrantët dhe Qipron e ndarë etnikisht.
Tensionet janë ndezur sërish kohët e fundit mbi ishujt e Egjeut, të cilët Ankaraja thotë se nuk mund të armatosen sipas traktateve ndërkombëtare.
Në fjalën që mbajti ndërsa ndiqte stërvitjet ushtarake turke pranë rajonit bregdetar të Izmirit në Egje, Erdogan i bëri thirrje Athinës që “të shmangë ëndrrat, veprimet dhe deklaratat që do të sillnin si pasojë pendimin” dhe përmendi luftën për pavarësinë e Turqisë në fillim të viteve 1920, kur turqit mundën fuqitë okupuese, përfshirë Greqinë.
“Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Egje dhe nuk do të tërhiqet nga përdorimi i të drejtave të përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për armatosjen e ishujve,” tha Erdogan.
Javën e kaluar Erdogan njoftoi se Turqia po ndalte të gjitha bisedimet dypalëshe me Greqinë për një mosmarrëveshje me kryeministrin grek dhe atë që Ankaraja e quan shkelje të hapësirës ajrore.
Të dy kishin rifilluar bisedimet dypalëshe në vitin 2021 për përmirësimin e lidhjeve pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, por kanë bërë pak përparim.
Ankara thotë se ishujt e Egjeut iu dhanë Greqisë sipas traktateve të 1923 dhe 1947 me kusht që ajo të mos ketë armë atje.
Greqia ka thënë se komentet e Turqisë për armatosjen e ishujve janë “të pabaza” dhe ka akuzuar Ankaranë se ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e saj mbi ta.
Të enjten, Ministria e Jashtme e Greqisë lëshoi 16 harta të cilat tha se “përshkruajnë, në një mënyrë të qartë, veprimet dhe pretendimet e paligjshme, të njëanshme të Turqisë.”
Të dy vendet u kanë dërguar letra Kombeve të Bashkuara duke parashtruar pozicionet e tyre rivale në hapësirën ajrore dhe ishujt./VOA