Një çift nga Kosova është gjetur i vdekur në apartamentin e tyre në Epinal të Francës. Mediat vendase raportojnë se nga kqyrja paraprake e trupave të tyre nga ekspertët, ata janë vrarë me thika.
Identiteti i burrit dhe gruas, shqiptar të Kosovës, nuk bëhet ende me dije. Ata ishin prindër të shtatë fëmijëve, katër prej të cilëve ndodheshin në shtëpi kur shkoi Policia. Trupat e dy viktimave janë gjetur të therur në banjën e shtëpisë.
Ngjarja është zbuluar dje, të martën e 26 prillit. Banorët e lagjes në “Plateau de la Justice” në Epinal kanë dhënë alarmin dhe rreth orës 08:30 dhe atu ka mbërritur policia. Shkaku i vrasjes nuk dihet ende, por marrja në pyetje e fëmijëve do të hedhë më shumë dritë.
Vetë fqinjët janë shprehur se gjatë tre viteve nuk kanë dëgjuar asnjëherë debate në shtëpinë e çiftit nga Kosova, shkruan newsbomb.al. Dhe Policia franceze thotë se nuk ka pasur asnjëherë njoftime për debate në këtë familje.
Megjithatë, të dielën Policia ka ndërhyrë për një mosmarrëveshje mes vëllait dhe motrës së tij, në shtëpinë e çiftit, por nuk ka detaje të tjera se çfarë ka ndodhur. Tre nga fëmijët nuk kanë qenë në shtëpi në momentin kur Policia ka gjetur trupat e pajetë.
Sipas mediave franceze, ekspertët shkencorë kanë qëndruar për disa orë në vendngjarje për të për të gjetur ndonjë gjurmë. Nga gjetjet fillestare të hetuesve nuk doli asnjë pistë, ndaj tani ata janë përqëndruar në marrjen në pyetje të fëmijëve.