Gazeta Insajderi ka kuptuar se deputetja, Dude Balje është denoncuar në Polici.
Denoncimi është bërë në stacionin policor në Gjakovë, drejtoresha e shkollës së Mesme Teknike në Gjakovë, Florentina Gjergjaj.
Në këtë stacion ende nuk e kanë konfirmuar këtë denoncim, por burime të Insajderit bëjnë me dije se Gjergjaj sapo ka përfunduar dhënien e deklaratës.
“Kjo ka thënë në polici që pas linçimit që ma ka bë deputetja Balje në Facebook, më kanë ardhë mesazhe kërcënuese për mua, familjen dhe fëmijët e mijë, e teë cilat i ka nxitë postimi i deputetes”, i tha ky burim Insajderit.
Ndërkohë, drejtoresha Florentina Gjergjaj, ka deklaruar se po përballet me kërcënime me vdekje, pas reagimit të deputetes, Duda Balje që bëri lidhur me shenjën që ishte vendosur në shkollë për ndalimin e mbulesës së vajzave.
Në reagimin e saj, Balje është përplasur me drejtoreshën e shkollës Florentina Gjergjaj, duke i thënë se, ”nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!!”
Duke deklaruar se me një pjesë të simboleve pajtohet edhe vetë, Balje ka thënë “me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetar.”
Sipas saj, “Krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, për mua është vrasje e të drejtës së besimit të sajë!”, ka thënë Balje.
Si pasojë e kësaj, ofendime të rënda kërcënime të llojeve të ndryshme e deri tek familja arritën tek Gjergjaj, përmes mesazheve. Disa nga të cilat i gjeni më poshtë.
Në njërin prej tyre kërcënohet me fjalët, ”Shpinë ta di kujdes se po te shkel kerri”.
Në lidhje me kërcënimet, Gjergjaj ka thënë se ishte Balje ajo që ka nxitur fushatë kërcënimesh ndaj saj, dhe për këtë, ajo do t’u drejtohet organeve të sigurisë. Gjë që veçse e ka bërë.
”Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, u shpreh Gjergjaj në një postim të bërë në Facebook.
/GazetaInsajderi