Ndërkohë që Kosova i është bashkuar shteteve perëndimore, duke vendosur një varg sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, politikanët në Ukrainë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Meqë vendi po përballet me invazionin rus, çështja e njohjes së Kosovës nuk është për momentin çështje prioritare për Kievin zyrtar. Mirëpo deputetja në Parlamentin ukrainas Irina Faiz dhe ambasadori i këtij vendi në Beograd kanë dalë me qëndrime të ndryshme në këtë temë.
Deputetja ukrainase: Serbia armiku ynë, është koha që Ukraina ta njohë Kosovën!
Deputetja e ukrainase, Iryna Friz ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e dhënë për Ukrainës. Me anë të një shkrimi në Twitter, Friz ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për mbështetjen e dhënë për Ukrainën në periudhën e kërcënimit të pushtimit nga Rusia.
Friz gjithashtu ka akuzuar Serbinë për mbështetjen e dhënë Rusisë përmes grupeve të mercenarëve dhe militantëve pro-rus në Ukrainë.
“Jam e bindur se Ukraina duhet të mbështesë miqtë e vërtetë, të cilët gjithashtu zgjodhën pavarësinë e tyre. Është koha për të refuzuar standardet e dyfishta. Miqtë e Ukrainës nuk janë ata që dërgojnë militantë pro-rusë në tokën tonë, por ata që gjithashtu nën kërcënimin e konfliktit të armatosur, shprehin mbështetje për shtetin tonë”, ka shkruar Friz.
Në fund, ajo ka bërë thirrje për vendosjen e marrëdhënies diplomatike mes Kosovës dhe Ukrainës, pasi që siç “vendosja e marrëdhënieve miqësore me Prishtinën do të jetë një hap i ndershëm, i cili më parë është bllokuar nga politika ruse në Ballkan”.
Ambasadori ukrainas në Beograd: Respektojmë integritetin e Serbisë
Mirëpo ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych, ka thënë se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrim karshi shtetit të Kosovës.
Aleksandrovych ka thënë për mediumin serb Alo, se Ukraina nuk ka marrë kërkesë nga Kosova për njohjen e shtetit të saj, dhe se qëndrimi i Ukrainës është i pandryshueshëm.
“Me sa di unë nuk kemi marrë një kërkesë të tillë. Qëndrimi parimor i Ukrainës për respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, përfshirë Serbinë, është i njohur dhe i pandryshueshëm”, ka thënë ai.
Aleksandrovych ka falënderuar Serbinë për qëndrimin e saj, duke votuar pro Ukrainës në OKB, ku 141 shtete mbështetën Ukrainën dhe dënuan agresionin rus dhe vetëm pesë vende ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Bjellorusinë.
Pse Ukraina ka rezerva për njohjen e Kosovës, kur Rusinë e kemi kundërshtar të përbashkët?
Shumica e ekspertëve kanë përgjigje të njëjtë në këtë pyetje: Rusia nga inati që nuk arriti ta pengojë pavarësinë e Kosovës dhe ta mbrojë Serbinë nga bombardimet e NATO-s, tani po e shfrytëzon Kosovën si alibi për të shprehur pretendimet e saj ndan Ukrainës.
Këtë publikisht në një farë mënyre e ka shprehur edhe vetë presidenti rus, Vlladimir Putin, por edhe ministri i jashtem, Sergej Lavrov, të cilët para se të fillojë invazioni në Ukrainë, akuzonin NATO-n për bombardimin e Beogradit.
Edhe në prononcimet për aneksimin e Krimesë, por edhe për njohjen e pavarësisë së republikave seperatiste Donbas dhe Llugansk, kreu shtetëror rus jo rrallëherë ka përmendur Kosovën, duke bë përpjekje për të tërhequr paralele mes këtyre rasteve të pakrahasueshme mes veti.
Më 22 shkurt, Putin bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare të Gadishullit ukrainas të Krimesë si pjesë të Rusisë, duke e krahasuar atë me Kosovën.
“E kam thënë shumë herë këtë, por dua ta theksoj sërish: në çfarë mënyre kjo shprehje e vullnetit popullor [në Krime] ishte më e keqe se ajo që ndodhi në Kosovë? Në asnjë mënyrë”, pat deklaruar Putin./almakos