Ukraina thotë se të paktën 1,170 civilë janë vrarë në qytetin e Mariupolit, që nga fillimi i agresionit rus.
Një agjenci shtetërore informacioni ukrainase që i referohet nënkryetarit të bashkisë së Mariupolit thotë se nga mbi një mijë të vrarët, 47 janë varrosur në një varr masiv sot.
Ndërkohë Ukraina akuzoi Rusinë për bombardimin e një spitali fëmijësh në qytet, duke shkelur një armëpushim që ishte vendosur për të mundësuar evakuimin e qindra mijëra civilëve të bllokuar në qytet.
Rusia, e cila mohon të ketë vënë në shënjestër civilët, kishte thënë se do të ndalte zjarrin për t’i lënë civilët të largoheshin nga Mariupoli dhe qytete të tjera të rrethuara të mërkurën. Por këshilli i qytetit tha se spitali ishte goditur më shumë se një herë.
“Forcat pushtuese ruse kanë hedhur disa bomba në spitalin e fëmijëve. Shkatërrimi është kolosal,” tha Këshilli në një postim në internet.
Më herët Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte thyer armëpushimin rreth qytetit port jugor, i cili shtrihet midis zonave separatiste të mbështetura nga Rusia të Ukrainës lindore dhe Krimesë, të aneksuar nga Moska nga Ukraina në 2014.
Zyrtarët lokalë në qytete të tjera thanë se disa civilë ishin larguar të mërkurën përmes korridoreve të sigurta, duke përfshirë nga Sumy në Ukrainën lindore dhe Enerhodar në jug.
Megjithatë, forcat ruse po pengonin një autokolonë prej 50 autobusësh që të evakuonin civilët nga qyteti Bucha pranë Kievit, thanë autoritetet lokale në një postim në internet.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimeve që do të lejonin evakuimin nga Mariupoli, të cilin forcat ruse e mbajnë të rrethuar prej më shumë se një jave.