Këto pamje tregojnë gjurmë të konfliktit të rindezur dy ditët e fundit në lindje të Ukrainës, që mund t’i shërbejnë Moskës si justifikim për një ndërhyrje ushtarake në këtë vend, siç ka paralajmëruar edhe zbulimi amerikan.
Qeveria e Kievit akuzon rebelët pro-rusë se po përpiqen t’i fryjnë zjarrit të luftës, duke goditur me predha artilerie dhe armë objektiva civile.
Autoritetet ukrainase publikuan të tjera pamje të dëmeve nga predhat e plumbat e pro-rusëve, në disa institucione arsimore në Luhansk, gjatë orëve të fundit.
Banorët vendas thonë se çdo ditë zgjohen me frikën e nisjes së luftës.
“Jemi në ankth dhe të panikosur sepse pikërisht në këto kohë i kemi pritur provokacione të tilla. Kur dëgjuam predhat menduam se lufta filloi”.
Me rritjen e tensioneve në lindje të Ukrainës, ushtarët në front i vizitoi edhe Presidenti Volodimir Zelenski. E teksa në pjesën tjetër të territorit të vendit, ushtria ukrainase vijon stërvitjet përgatitore për një sulm të mundshëm nga Rusia, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të tjera pamje, që sipas saj janë dëshmi e largimit të trupave nga kufijtë me Ukrainë.
Por Perëndimi akuzon Moskën se po gënjen se është duke u tërhequr, ndërsa thotë numri i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës ka arritur nga rreth 100 në 150 mijë.