I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se të dy palët janë shumë larg njëra-tjetrës përsa i përket qëndrimeve për çështje të ndryshme.
Lajçak është takuar sot me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për hapat e mëtejshëm të dialogut.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak shkruan se ka ende shumë punë për të bërë përpara..
“Sapo përfunduam dy ditë punë të palodhur dhe diskutime intensive me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet për një numër çështjesh urgjente mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Ka shumë punë përpara”, ka shkruar ai.
Ndryshe, sot gjatë ditës udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.