80 të rrëmbyer e të zhdukur në Vlorë/ Gledis Nano i shmanget rezultatit “zero”

80 të rrëmbyer e të zhdukur në Vlorë/ Gledis Nano i shmanget rezultatit “zero”

Bukuri vrastare! Vlora, një ndër qytetet më të bukura në Shqipëri është e mbushur plot me krime tronditëse në nëndheun e saj. Për nga seriali i ekzekutimeve mafioze, gjobvënieve si dhe historive të zhdukjes misterioze të shumë personave, ky qytet është sozi e Palermos në Itali.


Vlora i ngjan një fushëbeteje që duket sikur nuk mbaron kurrë, dhe vit pas viti shënohen viktima, gjë që flet qartazi se qyteti vijon të sundohet nga krimi i organizuar. Përgjatë një periudhe 7-vjeccare (nga viti 2015 e në vijim) në Vlorë numërohen rreth 80 persona të zhdukur. Por nga denoncimet e familjarëve, organet ligjzbatuese kanë evidentuar vetëm 4 raste për ekzistencën e veprave penale, atë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të rrëmbimit të personit.

Pikërisht në lidhje me rezultatet e arritura sa i përket çështjes së personave të zhdukur është pyetur sot kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i cili mori pjesë në analizën vjetore të policisë së qytetit bregdetar.

“Do të kemi informacione të reja, janë nën hetim”, është përgjigjur Nano.

 RRËMBIMI DHE ZHDUKJA E PERSONAVE NË VLORË

 Nëpërmjet dëshmive ekskluzive dhe dokumenteve të prokurorisë, Top Story zbërtheu në vitin 2018 një seri rrëmbimesh, të kryera për shkak të përplasjeve në trafikun e drogës. Ky emision solli në vëmendje disa histori e personazhe të zhdukur nga droga.

Albano Xhaferaj

Mëngjesin e 17 qershorit të vitit 2018, Albano Xhaferaj u largua nga shtëpia, pa u ndarë me fëmijët dhe gruan, Danielën. Doli për një kafe me mikun e tij Arbër Turja. Gruas i tha se do të kthehej shpejt në shtëpi. Albano sapo ishte kthyer nga Belgjika. Teksa konsumonin kafen, Albano merr një telefonatë dhe i kërkohej një takim i menjëhershëm. Pak minuta më vonë, një makinë tip “Audi”, me targa AA560 TR ndalon në lokalin e rrugës Transballkanike. Babai i dy fëmijëve hipën në të, e më pas askush nuk e sheh më me sy. Daniela, duke menduar se bashkëshorti i saj ishte nën shoqërinë e miqve, nuk shqetësohet se Albano nuk u kthye në shtëpi. Gruan e re e zë paniku të nesërmen, kur telefoni i dilte i fikur. Për 7 ditë me radhë ka trokitur në çdo derë të miqve të bashkëshortit të saj, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë. Mëngjesin e 25 qershorit, ajo i është drejtuar komisariatit të Policisë së qarkut të Vlorës. Neglizhenca e treguar nga policia detyroi Lutfi Xhaferraj, babai i 34 vjeçarit, të denonconte publikisht zhdukjen e Albanos.

 Gazmend Merkaj

Një tjetër person i zhdukur nga droga në Vlorë është  Gazmend Merkaj, nëna e të cilit rrëfeu gjatë emisionit telefonatën e fundit me të birin.  “Para një jave e kishte marrë të vëllanë në telefon, i thoshte mos dil se do të vrasin. Më thoshte dhe mua mos dil shumë, se do të vrasin dhe ty. Ata që kamë ngrenë e kam pirë do më vrasin më tha”, – rrëfeu nëna. Grupi e konsideronte Gazmendin një njeri të dobët jo të besuarin e tyre, ndërsa ai, në një mbrëmje të fundit të korrikut i shikon nga dritarja që i vinin rrotull makinës së parkuar. 36 vjeçarin e zë paniku. Gazmendi dyshon se i kanë vendosur lëndë eksplozive ndaj dhe lajmëron policinë. Pas kësaj ngjare, Më 1 gusht 2016 Gazmenti është dorëzuar ne komisariatin e Policisë së Fierit. Oficerëve të policise, Gazmendi u ka treguar se kishte dijeni mbi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhur në Vlorë. 36 vjecari u tha hetuesve, se Albano Xhaferri, ishte rrëmbyer dhe ekzekutuar me çekiç në makinë dhe se ai i njihte autorët. Rrëmbimi bëhej për llogari të Edison Harizajt sepse Albano kishte dijeni për atentatin, që iu organizua Fredinant Llanajt, ngjarje kjo e ndodhur në muajin tetor të vitit 2017. Gazmendi u ka rrëfyer se ndihej i kërcënuar nga miqtë e tij, Ardian Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Për këtë qëllim, sapo është kthyer nga Blegjika, Albano është ndjekur për një kohë të gjatë me makinën tip benx 250 ngjyrë e erret në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj. Për vrojtim më të mirë makinës i janë bërë edhe dy vrima, e vërtetuar kjo nga prokuroria, e cila ka gjetur makinën tip benc në fshatin Pocem të Tepelenës.

 Leonard Mehmeti

Një tjetër i zhdukur në Vlorë, saktësisht mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është edhe Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve. Vëllai i tij rrëfeu në emision se ishin shokët e tij që e lajmëruan për zhdukjen e të vëllait. Ajo që dihet për Leonardin është se mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës. Mehmeti tregoi se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn, punonjës policie dhe Xhino Dautajn, i proceduar dhe dënuar në vitin 2012 nga Gjykata e rrethit të Vlorës për vrasje me paramendim. Mehmeti tha se zhdukja e të vëllait ka lidhje pikërisht me implikimin e tyre në trafikun e drogës.

 Marjo Metushi

Ai rezulton i zhdukur që nga 16 qershori i vitit 2017. Prokuroria ka pezulluar procedimin ndaj tij e regjistuar për veprën penale, kalim të paligjshëm të kufirit. Babai i tij, Bahriu ka deklaruar se i biri ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.  “Me transport me gomone, ka qenë pilot. E ka bërë tërë kohën, nga Shqipëria në Itali. Ikte dhe vinte dhe me kohë të keqe. Nuk vinte me shokë por vetëm. E keqja e tij ishte se nuk tregonte se nga po vente”, tha babai.  Në vitin 2000 Marjo është arrestuar nga policia italiane ku edhe ka vujtuar dënimin me 5 vjet heqje lirie. 70 vjeçari thotë se ishin arsyet ekonomike atë që detyruan të birin të rimerrte përsipër dërgimin e lëndëve narotike përtej detit. Pazaret për drogën apo dhe pagesa për punën e kryer në transportin e lëndëve narkotike gjatë muajit gusht 2017 është kjo arseyja që Bahri Metushi beson se është vrarë i biri. 69 vjeçari pohoi se Marjo transportonte lëndë narkotike në Itali për llogari të një grupi kriminal në rrethin e Fierit, por policia dhe prokuroria nuk ka hetuar për zbardhjen e ngjarjes.   “Atë natë që është nisur ky, janë nisur dhe dygomone të tjera. Ai që ikte Mario u gjet por u gjet i qëlluar. I mbytur”, u shpreh babai.

 Qamil Laze

Ai bën pjesë në listën e të zhdukurve në Vlorë. Trupi i pajetë i Lazes u gjet 1 milje larg bregut, pranë ishullit të Sazanit, mëngjesin e 24 marsit të vitit 2017. Familjarët kishin denoncuar zhdukjen e tij më 11 mars, datë në të cilën policia gjeti dhe një gomone të braktisur pranë ishullit me pako me 1.2 ton lëndë narkotike. Në lagjen “Isa Boletini” ku jeton familja Laze, ende mbahet zi për peshkatarin që të gjithë e njohin me emrin Numan. Trëndafile Laze, gruaja e peshkatarit u shpreh se është lajmëruar për kufomën e të shoqit nga peshkatarët, që e gjetën trupin në në detë.

Ardian Hitaj

Më 6 maj të vitit 2017, salla operative e drejtorisë vendore e policisë së Vlorës u lajmërua për gjetjen e një trupi të kompozuar në afërsi të ishillit të Sazanit. Familjarët identifikuan viktimën si Ardian Hitaj, babai i tre fëmijëve banor i lagjes “4 heronjtë”, për të cilin ishte bërë kallëzim për zhduken e tij në muajin mars. Ngjarja është raportuar si mbytje, duke iu referuar ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës trupit nuk i janë konstatuar shenja dhuna. Më 26 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale.

Leonard Senkaj

Si peshkatarë të humbur janë raportuar nga Policia e Vlorës edhe zhdukja e Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taulant Çerenishtit, edhe pse vetë familjarët e Senkajt e pranojnë se ishin të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Ferzilete Senkaj tregoi se i biri kishte kryer 4 vjet burg në Leçe pasi ishte arrestuar në tentative për trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane. “Një person që ne nuk e njohëm fare, na ka sjell këtu çantën dhe telefonin e tij. Atë e pyetëm se kush je ti, por na tha se nuk dim asgjë për të, nuk foli”, tha nëna. Gjetjen e trupit të djalit të saj apo hetimin e ngjarjes është gjithë sa kërkon familja Senkaj. Ka bindjen se deri më tani organet ligjzbatuese nuk janë përpjekur për zbardhjen e implikimit të djalit të saj.

Ariseld Maze dhe Adriano Jahaj

Dyert e mortit nuk ka guxuar t’i hapë as Përparim Maze që jeton në një në një shtëpi të papërfunduar në lagjen “15 tetori”, qendër të qytetit të Vlorës. I biri, Ariseldi është zhdukur mëngjesin e 3 korrikut 2017. 32 vjeçari ka dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Familja ka mësuar se Ariseldi ka dalë për peshkim së bashku me mikun e tij, Adriano Jahaj, i njohur si biznesmen në qytetin e Vlorës. Rrethanat e zhdukjes së Ariseld Mazes dhe Adriano Jahajt janë rasti i vetëm për të cilët Policia e Vlorës e ka referuar në prokurori për dyshime në përfshirjen e trafikut të drogës. Por megjithë referimin e ngjarjes nga Policia e Vlorës, zyrtarisht Adriano Jahaj nuk ekziston. Me këtë emër biznesmeni njihet vetëm mes miqsh në Vlorë, pasi në dokumente zyrtare dhe pronën e tij, një hotel te lagjja e njohur si “Uji i Ftohtë” në Vlorë, është i regjistruar me emrin Fatosh Jahaj.  Dosja është rikthyer sërish në prokurorinë e rrethit të Vlorës, ndërsa familjarët e biznesmenit nuk pranojnë të flasin, pasi jetojnë me shpresën se 53-vjeçari është ende gjallë.

Ksando Imeraj

Në prill të vitit 2018 është denoncuar i zhdukur nga të afërmit i riu Ksando Imeraj. Familjarët e 33-vjeccarit denoncuan zhdukjen e tij në policinë e Vlorës, por edhe në policinë italiane. Kjo për faktin se i riu kishte tentuar më parë që të ikte në vendin fqinj, për tu bashkuar me të afërmit e tij atje.  Ndonëse u bënë denoncime, fati I Ksando Imerajt mbetet mister.