Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg.
Apelit i GJKKO ka rrëzuar ankimim e Goros, dhe dy ish-drejtorëve, Jerasimo Basho dhe Vezir Gjikokaj, duke lënë në fuqi edhe dënimin e dhënë për këta të fundit. Ndërkohë, apeli ka kërkuar konfiskimin e një apartamenti.
Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-drejtorin e tokës dhe menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, i cili është gjithashtu i pandehur në këtë çështje.
Dosja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 m² tokë, duke ia kaluar atë Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.
Njoftimi i Apelit të GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 03.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ankimet e paraqitura nga të pandehurit J.G., V.Gj. dhe J.B, ndaj vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1 – Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
Urdhërohet konfiskimi i pasurisë së mëposhtme:
– Apartament i regjistruar me nr. pasurie ***, volumi ***, faqe ***, zona kadastrale ***, me sipërfaqe 81,41 (tetëdhjetë e një presje dyzet e një) m2, ndodhur në ***, së bashku me sendin sekuestruar shtetasit E.V. me procesverbalin e sekuestrimit datë 03.07.2024, çelës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “***”, me kod “***”.
2 – Mospranimin e ankimit të ankuesit Shoqëria “***” shpk, kundër vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
3 – Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
U shpall në Tiranë, sot me datë 22.07.2025.