Bekim Koçeku, 47 vjeç, ka ndarë një rrëfim të dhimbshëm në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24. I dëmtuar rëndë që në moshën njëvjeçare, ai ka jetuar gjithë jetën në karrocë, pasi një incident tragjik i mori dy këmbët dhe një dorë.
“Isha një vjeç kur u dogja, një dorë dhe dy këmbët nuk i kam. 15 vite kam ecur duke u zvarritur në tokë në shi dhe dëborë pasi nuk kishte as karroca të posaçme.”, – rrëfeu Bekimi mes lotëve.
Sot ai jeton me nënën dhe familjen e vëllait, por përtej vuajtjeve fizike, ai përballet me një plagë tjetër, shembjen e banesave që kishte ndërtuar në Theth, përmes kredive dhe sakrificave personale.
“Në Theth kisha 5 shtëpi prej druri, dhe një ku jetoja së bashku me tim vëlla dhe bashkëshorten e tij. Kisha vetëm një muaj që kisha nisur shfrytëzimin e tyre. Asnjë pikë beton nuk është derdhur për ndërtimin e tyre.Deri në shtator kisha prenotime nga turistët, çdo datë ishte e zënë, ku 90 përqind ishin turistë të huaj. Për ndërtimin e tyre kisha marrë borxh, pak investime, kredi. Investimi kishte kaluar mbi 170 mijë euro”, – tha ai.
Koçeku ishte një prej banorëve që i dolën përpara mjeteve të IKMT-së, duke kundërshtuar prishjen e banesave që i kishte ndërtuar me mund, borxhe dhe shpresë për një jetë më dinjitoze.
“Kam ndërtuar për të jetuar, jo për të bërë biznes të paligjshëm”, theksoi ai, duke kërkuar drejtësi për atë që e konsideron si shkatërrim të një jete të tërë.