Xavi Hernandez, trajneri i Barcelonës, doli në konferencë për shtyp për të analizuar fitoren në ndeshjen e kthimit të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Napolit (3-1): “Jam shumë krenar për ekipin tim, kjo është një ditë shumë e rëndësishme për barcelonizmin”.
Si u përgjigjeni kritikave?
Na quajtët karagjozët e Champions League, por ne arritëm në çerekfinale. Nuk po them se do ta fitojmë këtë trofe, por ju kërkoj të qetësoheni. Bëni presion mbi mua, jo mbi lojtarët. Ky është një nga momentet e mia më të mira si trajner i Barcelonës. Jam i lumtur dhe krenar, tani qëllimi është gjysmëfinalja. Kishte shumë kritika të panevojshme ndaj nesh.
A e ndryshon ky kualifikim vendimin tuaj për të ardhmen?
Asgjë nuk ndryshon, qetësohuni. Ky është momenti për ta shijuar, asgjë më shumë. Po të kisha humbur, tani të gjithë do të thoshit se jam i paaftë për këtë stol.
Si e gjykoni suksesin me Napolin?
Ne mundëm një ekip të madh si Napoli, ndaj është momenti për të qenë krenarë. Ju thatë se Barcelona nuk është e barabartë me ekipet e mëdha, por kundër kampionëve të Italisë sigurisht që ishim.
A pati një penallti të padhënë në favor të Osimhen sipas jush?
Nuk e pashë, më vjen keq. Megjithatë, besoj se ishim superiorë ndaj Napolit në të dyja ndeshjet. E merituam të kualifikoheshim, nuk kam asnjë dyshim.
Nëse fitoni Ligën e Kampionëve, a do të ndryshonte ideja juaj për t’u larguar në fund të sezonit?
Mos ia bëni vetes këtë pyetje, asgjë nuk ndryshon.
Çfarë të bën përshtypje te Cubarsi 17-vjeçar?
Qetësia me të cilën mban topin është mbresëlënëse për moshën e tij. Ai është gjithmonë i qetë me topin në këmbë. Një djalë inteligjent, i qetë, i përulur, dëshiron të përmirësohet… Po flasim për një qendërmbrojtës të nivelit më të lartë për shumë vite në vazhdim.