31 July 2018 / 15:29
Për katër vjet pas fillimit të ndërtimit të hekurudhës drejtë Bullgarisë, deri më tani mezi janë ndërtuar 8 kilometra nga traseja e gjatë 90 kilometra. Kjo nuk është as 10% e hekurudhës e cila duhet t’i lidhë dy shtetet. Në vitin 2014 u hodhën themelet për ndërtimin e fazës së parë nga Kumanova deri në Beljakovc, por për shkak të disa problemeve në terren, në vend se në janar të vitit 2016, faza e parë do jetë gati me vonesë prej tre viteve, përkatësisht në fund të vitit të ardhshëm. Ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë- Infrastruktura” shpalli tender për para-kualifikimin e kompanive për ndërtimin e fazës së dytë të hekurudhës nga Beljakovc deri në Kriva Pallankë. Për fazën e tretë dhe të fundit nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë që është më e shtrenjta, ende nuk janë siguruar paratë. Kjo kushton 350 milionë euro, ndërsa deri tani janë siguruar vetëm 71 milionë. Por edhe pse deri tani janë shkelur të gjitha afatet për ndërtimin e hekurudhës drejtë Bullgarisë, drejtori i Hekurudhës së Maqedonisë- infrastruktura, Irfan Asani i cili tash shtatë vite është në krye të këtij institucioni, është optimist se deri në vitin 2021 hekurudha plotësisht do të kryhet.
Aksi i parë që tani po punohet për fat të keq duhet të them se kemi vonesa në punë në disa pjesë të projektit, sidomos në vende ku ende nuk ka përfunduar procesi i shpronësimit për shkak të pengesave administrative dhe pengesave tjera. Kjo na dha sfidë dhe punë plotësuese në atë që me realizuesin e punëve duhet të gjejmë termin të ri që mund të jetë deri më 31 dhjetor të vitit 2019 për gjithë hekurudhën – deklaroi Irfan Asani, drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë- Infrastruktura.
Sipas Asanit faza e dytë e hekurudhës duhet të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm. Fondet në vlerë prej 145 milionë euro tashmë janë siguruar me hua nga Banka Evropiane e Investimeve. Ndërtimi i fazës së tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë do të kushtojë prej 350 deri 400 milionë euro, ndërsa para për këtë kërkohen nga Institucione financiare ndërkombëtare. Ende nuk dihet kur do të fillojë ndërtimi i kësaj faze. Hekurudha drejt Bullgarisë është pjesë e Korridorit 8 që paralajmërohet më shumë dekada, por assesi të ndërtohet. Maqedonia ende nuk ka lidhje hekurudhore Lindje-Perëndim. Ende kërkohen para për hekurudhën e gjatë 63 kilometra nga Kërçova në Lin të Shqipërisë. Vlerësimet janë se ajo do të kushtojë 500 milionë euro.
Aleksandra Spasevska