Villas-Boas: FIFA duhet ta pensionojë fanellën me numër 10, pas vdekjes së Maradonës

Villas-Boas: FIFA duhet ta pensionojë fanellën me numër 10, pas vdekjes së Maradonës

Trajneri i Marseilles, Andre Villas-Boas, ka bërë thirrje që FIFA të pensionojë fanellën me numër 10 nga futbolli për të nderuar legjendën argjentinase Diego Armando Maradona, që vdiq dje në moshën 60-vjeçare pas një sulmi në zemër.

Maradona është vlerësuar si një prej futbollistëve më të mirë të gjitha kohërave, ku tifozët në Argjentinës e quanin “El Dios” – “Zoti”.

Ish-klubi i Maradonës, Napoli, ku ai ka gëzuar periudhën më të mirë të karrierës, ka pensionuar fanellën me numër 10 që nga viti 2000 në shenjë respekti, dhe trajneri portugez i Marseilles, Villas-Boas, ka thënë se FIFA duhet ta bëjë të njëjtën gjë.

“Është lajm i rëndë, do të pëlqeja që FIFA të pensiononte fanellën me numër 10 nga të gjitha garat, për gjitha ekipet. Do të ishte nderimi më i mirë që do të mund t’ia bënim. Është një humbje e jashtëzakonshme për botën e futbollit”, ka thënë Villas-Boas, pas humbjes 2:0 të Marseilles mbrëmë nga Porto në Ligën e Kampionëve, njofton agjencia Reuters.