Deputetët maqedonas pamundësuan votimin e rezolutës për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Përshkak të mungesës së deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme Musa Xhaferi, konstatoi se nuk mund ta zhvillojnë seancën.
Musa Xhaferi, kryetar i Komisionit
“Sipas pjesëmarrjes nuk plotësohen kushtet për të debatuar dhe për ta zhvilluar punën e kësaj mbledhjen dhe propozoj që kjo të prolongohet”.
Deputeti i Frontit Evropian Skender Rexhepi tha se nuk është e rastësishme dhe kjo është e organizuar nga deputetët maqedonas.
Skender Rexhepi, deputet i Frontit
“Konsideroj që mungesa e anëtarëve në këtë komision nuk është e rastësishme, pasi që bëhet fjalë për një pikë mjaftë të ndijshme, posaqërisht në raportin etnik…është e qëllimshme për ta sabotuar punën e Komisionit ku jemi këtu, me të vetmin qëllim që kjo pikë të mos vije në rend debati”.
Deputetja e ASH-së së Ziadin Selës, Ilire Dauti deklaroi se në këtë rast deputetët shqiptarë do të jenë të detyruar t’i bashkangjiten rezolutës së Shqipërisë dhe Kosovës.
Ilire Dauti, deputete e ASH-së së Selës
“Sjellja injoruese nga bashkëqytetarët tanë, përfaqësuesit e subjekteve politike që sot nuk janë prezent, neve na detyron… deputetët shqiptarë këtu do të jemi të detyruar ditëve në vazhdim të ju bashkangjitemi rezolutës së Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kurse deputetja e koalicionit VLEN Merita Koxhaxhiku u shpreh se VLEN e përkrah rezolutën dhe këtë do ta vërtetoj edhe kur ajo të jetë në seancë plenare.
Merita Koxhaxhiku, deputete e VLEN-it
“Të gjithë që jemi këtu, e dëshmojmë se e përkrahim rezolutën…por, do ta vërtetojmë të njejtën edhe me votat tona kur do të jetë në seancë plenare pika për rezolutë do të kemi 11 vota të koalicionit VLEN”.
Pasi rezoluta nuk kaloi filtrin e Komisionit, nuk mund të hyjë në seancë plenare.
Kjo rezolutë është për gjykim të drejtë të ish krerëve të UÇK-së në Hagë, edhe pse propozuesi i saj, Fronti Evropian nuk e përmend askund UÇK-në në rezolutë por i quan si ish krerë të institucioneve të Kosovës. Përveç, Frontit, propozues të rezolutës janë edhe deputetët e ASH-së së Selës dhe deputetët e pavarur Ilir Demiri e Bejxhan Iljas.
Emine Ismaili /SHENJA/


