Vaksina Pfizer së shpejti mund të përdoret tek fëmijët 5-11 vjeç

Vaksina Pfizer së shpejti mund të përdoret tek fëmijët 5-11 vjeç

Pfizer dhe BioNTech së shpejti pritet të kërkojnë aprovimin që vaksina e tyre anti-COVID të përdoret tek fëmijët e moshave 5-11 vjet.

Özlem Türeci, mjeke kryesore në BioNTech ka thënë për gazetën gjermane “Der Spiegel” se kompanitë së shpejti do të paraqesin rezultatet nga studimi i tyre tek fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe do të kërkojnë që vaksina e tyre të aprovohet për përdorim emergjent.

“Në javët e ardhshme do të prezantojmë rezultatet e studimit tonë, që është bërë tek moshat 5-11 vjeç në të gjithë botën, dhe do të aplikojmë që vaksina jonë të aprovohet për këtë grupmoshë”, ka thënë Türeci.

Sipas saj, formula e vaksinës është e njëjta si ajo që është aprovuar për adoleshentët dhe të rriturit, mirëpo sasia e dozës do të jetë më e vogël.

Aktualisht vaksina Pfizer është e aprovuar vetëm për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Bashkimin Evropian.