Supersfida e javës mbyllet pa gola/ Vllaznia e Partizani në paqe. Kukësi i pamëshirshëm ndaj Skënderbeut që prek fundin

Supersfida e javës mbyllet pa gola/ Vllaznia e Partizani në paqe. Kukësi i pamëshirshëm ndaj Skënderbeut që prek fundin

Është mbyllur edhe java e 17-të e Kategorisë Superiore. Ndeshjet nisën ditën e shtunë, me Kastriotin që fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Bylisit të vendit të fundit. Golin vendimtar e realizoi Daçi në minutën e 51-të, vetëm 5 minuta pasi ishte inkuadruar në lojë. Ndërkohë, trajneri i Bylisit, Bekim Kuli ishte mjaft i pakënaqur, ku u shpreh se skuadra e tij nuk meriton të jetë në vend të fundit dhe se atyre iu mohua një penallti. Kuli ishte i kënaqur me lojën e ekipit, por jo për rezultatet. Në anën tjetër, Ramazan Ndreu u shpreh mjaft i lumtur me ekipin e tij, dhe tha se aktivizimi i Dacit e ndihmoi skuadrën dhe luajtën më fort. Në ndeshjen e dytë të ditës, Kukësi “shkërmoqi” Skënderbeun me rezultatin e thellë 0-4. Gjatë ndeshjes u pa që mbrojtja e korçarëve ishte shumë larg normales, ku u pësuan 2 gola në 7 minutat e para të takimit. Trajneri i shkarkuar Julian Ahmataj, u shpreh se kishte diferenca të mëdha midis dy ekipeve dhe se vetë lojtarët i dhanë një dorë Kukësit me gabimet në minutat e para. Sipas tij, ndeshja përfundoi që me golin e dytë. Në kampin tjetër, Josa ishte i qeshur për fitoren dhe tha se titulli për Kukësin ishte i paarritshëm dhe duhet të mendojnë të bëjnë sa më mirë në ndeshjet e tjera. Ndërkaq, ditën e diel, Tirana arriti të merrte 3 pikë në Fier, ku vendosi goli i Taulant Seferit në minutën e 76-të. Bardheblutë e dominuan dukshëm ndeshjen dhe goditën dy herë shtyllën. Gjatë ndeshjes, era e fortë ishte një problem shumë i madh.



Fillimi i pjesës së dytë u shty, për shkak se tribuna qendrore filloi të lëkundej si pasojë e erës. Pas ndeshjes, Shehi u shpreh mjaft i kënaqur me lojën dhe fitoren e skuadrës së tij. Duke u zhvendosur në supersfidën tjetër të javës, Laçi mposhti 1-0 Teutën dhe rrëmbeu vendin e tretë. Pas një gabimi të mbrojtjes së durrsakëve, ishte Mentor Mazrekaj i cili përfitoi dhe kaloi Laçin në avantazh. Më pas, Vllaznia u përball me Partizanin, ndeshje e cila u mbyll në barazim pa gola, 0-0. Terreni ua vështirësoi mjaft punën ekipeve, ku balta e krijuar, në disa raste pengoi topin të shkonte në rrjetë. Ndeshja nisi mirë për shkodranët me disa raste, por Alban Hoxha u gjet i përgatitur dhe ndali goditjet e tyre. Raste pati dhe Partizani në pjesën e parë, por pa arritur të gjejë golin. Gjatë pjesës së dytë, “të kuqtë” ishin mjaft të rrezikshëm, por nuk ia dolën të shënonin. Më vonë, në minutën e 60-të, pati një përplasje mes Bitrit dhe Krymit përpara ekzekutimit të një goditjeje nga këndi. Gjyqtari kishte pamje mjaft të qartë dhe ndëshkoi me të kuq të dy lojtarët. Me Partizanin dhe Vllazninë me 10 lojtarë, ndeshja nuk prodhoi shumë dhe u mbyll pa gola. Kështu, shkodranët mbeten në krye, të ndjekur pikërisht nga Partizani. Pas takimit, trajneri i kuqebluve, Brdaric tha se terreni e vështirësoi shumë lojën. I pyetur nëse e ndien aromën e titullit, ai u shpreh se ka ende shumë kohë dhe duhet një punë e fortë, por edhe fat njëkohësisht. Ndërkohë, Ilir Daja në anën tjetër, tha se ekipi luajti më mirë se Vllaznia dhe për të, Partizani e fitoi ndeshjen. Ai foli për rastin kur topi ngeci në vijën fatale prej baltës dhe tha se të gjithë po gëzonin por u befasuan. Skuadra sipas Dajës ka bërë mirë dhe ndodhen me meritë në vendin e dytë.

TAGS