Specialistja Silva Bino: 22 këshilla për të parandaluar koronavirusin

Specialistja Silva Bino:  22 këshilla për të  parandaluar koronavirusin

Voltiza Duro – Ditën e djeshme shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka publikuar disa këshilla të vlefshme për të gjithë ata që janë të frikësuar nga përhapja e koronavirusit. Më poshtë po sjellim një informacion të përgjithshëm mbi koronavirusin, simptomat kryesore si dhe mënyrat si duhet të veprohet që të ulet rreziku përhapjes së virusit. Koronaviruset (CoV) jan? një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre. Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm si: 229E (alpha coronavirus), NL63 (alpha coronavirus, OC43 (beta coronavirus) dhe HKU1 (beta coronavirus). Në shekullin 21 dy koronavirus me patogenitet të lartë si SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme u transmetuan nga rezervuarët e kafshëve si :macet e egra dhe gamilet tek njerëzit, duke shkaktuar epidemi globale me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.
Koronavirusi i ri 2019 – nCoV
Në 31 dhjetor 2019, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei, Kinë ku shumica e tyre raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit ku shiteshin shumë lloje të kafshëve të gjalla. Të dhënat paraprake tregojnë se 2019 – nCoV ka homologji për disa amino acide me SARS – CoV dhe mund të përdorë si receptor ACE2. Kjo ka një vlerë, pasi mund të parashikojë mundësinë për përhapje dhe pandemi. Koronavirusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej koronaviruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.
Simptomat dhe masat
Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.





Koronavirusi shkakton simptoma tipike respiratore. “Më poshtë paraqiten rekomandimet kryesore: Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli; Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart; Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë; Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit; Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët; Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi; Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë”,-thekson ISHP. Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re. Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.

Këshillat nga Silva Bino:

Përpara se të na kapë frika për koronavirusin duhet të ndërgjegjësohemi:
1. Mos pështyni përtokë apo kudo që ju vjen
2. Mos shfryni hundët me dorë e të prekni me ato duar çdo gjë
3. Të kini kurajon që t’u thoni mos pështyjë e mos shfryjë hundët në atë mënyrë kujtdo
4. Mos kruani hundët me vend e pa vend e pastaj të prekni çdo gjë
5.Mos shfryni hundët në shami prej letre disa herë e ta mbani atë shami nëpër xhepa
6. Mos prekni hundën, gojën sytë me vend e pa vend
7. Mos i lini apo mos i hidhni shamitë prej letre me të shfryrat e hundëve kudo që të mundeni po hidhini menjëherë në një kosh plehrash të mbyllur
8.Mësohuni të teshtini duke vendosur gropëzën e brRylit përpara hundës e gojës
9. Lani duart vazhdimisht me ujë e sapun
10. Nëse nuk keni për momentin ujë e sapun pastrojini me dezinfektant dhe pastaj sapo të gjeni mundësinë lajini duart me ujë e sapun. Kur bleni mos harroni të bleni dhe dezinfetantin dhe mbajeni në çantë apo xhep atë kudo siç mbani të kuqin e buzës apo kuletën.
11. Pastroni vazhdimisht sipërfaqet ku punoni me pastrues të zakonshëm
12. Lani mirë dyshemetë e pastroni
13. Ajrosni shpesh mjediset ku qëndroni
14.Mos vizitoni atë që është i sëmurë
15. Kur jeni të sëmurë mos shkoni në punë
16. Mos udhëtoni kur jeni të sëmurë
17. Kur jeni të sëmurë tregoni për sëmundjen tuaj nëse jeni në avion, aeroport, port, traget, apo autobus, apo pikë kufitare detare apo tokësore
18. Tregoni ku keni udhëtuar dhe jepni numrat e saktë të kontaktit dhe identitetit tuaj për shërbimet shëndetësore
20. Dhe mos u puthni dhe përqafohuni me vend e pa vend e mos jepni aq shumë dorën sa herë takoni dikë.
21. Pastroni çdo vend publik
22. E mos i teshtini kujtdo që keni përpara në autobus apo makinë apo dyqan etj..

TAGS