S’ka më ekran për Xhemi Shehun, tani është vetëm e Visit dhe e djemve

S’ka më ekran për Xhemi Shehun, tani është vetëm e Visit dhe e djemve

“Mua nuk më kthen asgjë në televizion, përveçse mund të ndodhë ndonjë çudi shumë e madhe”, – thotë Xhemi Shehu që në fillim, teksa tentojmë t’i mbushim mendjen se ia vlen të dalë në kopertinën e fundit të revistës “WHO”. Dhe na i pret krahët krejt, mirë që nuk do e shohim më në ekran, por rrezikon të na lërë dhe pa kopertinë, sepse me këtë përgjigje ka bërë zero të gjithë ato argumentet që pijnë ujë tek shumica e personazheve, si për shembull “të duhet të flasësh, sepse emri yt duhet të qarkullojë për të ardhmen”, “është një PR i mirë” apo “të duhet të jesh në tavë”… Xhemit nuk i intereson fare të jetë në tavë, sepse në mendjen e saj e ka mbyllur njëherë e mirë këtë kapitullin e televizionit. Por, ama, funksionin argumenti tjetër me të, ai i tipit “le ta bëjmë një kopertinë festive për qejf, me një set xixëllues” dhe le t’i japim kështu lamtumirën denjësisht ekranit (ne themi dashtë Zoti dhe ndodh çudia) dhe këtij viti allasojësh. Dhe këtu i kemi bërë llogaritë mirë, sepse e dimë që Xhemi është gocë e mirë dhe nuk thotë kurrë jo. Urra! Kopertina u krye.



Rrëfimi pa doreza i një goce të mirë

Dhe po, Xhemi është gocë e mirë dhe këtë e thonë të gjithë, e kuptojnë dhe ata që e shohin në ekran apo e ndjekin në rrjet. Eshtë e bukur dhe është rritur në sytë tanë ditë pas dite, pa mbetur “ajo e bukura”, – siç thuhet për shumë të tjera. Edhe pse në fillim është shfaqur si velinë, ia ka dalë mbanë me çdo lloj spektakli, skena të vogla e të mëdha për të dhënë dhe më të mirën e saj si pjesë e trupës së “Portokalli”-së, duke qenë shumë e natyrshme dhe duke interpretuar në role të mirëfillta, pa mbetur ajo vajza e bukur që thotë “le ta përcjellim me dartrokitje filanin dhe të presim fistekun”. Xhemi ka bërë shumë më shumë, duke ruajtur ndërkohë dhe etiketën “gocë e mirë, yll”, që e ka shoqëruar që në fillimet e veta e deri tani. Dhe mendo, këtë e thonë dhe shumë njerëz të njohur, nga ata që i hanë sytë njëri-tjetrit. “Më vjen mirë për këtë fjalinë e fundit”, – thotë Xhemi – “nuk e di, nuk është se e bëj me recetë këtë gjë. Ndoshta është për hir të tipit tim, që nuk para kam sulmuar të ngjashmit e mi në ekran, sepse unë mendoj gjithmonë që ka vend për të gjithë në ekran. Ndoshta është sepse unë asnjëherë nuk kam dashur të jem në qendër të vëmendjes, mbase edhe sepse i kam hapur krahët çdokujt që ka ardhur për të punuar me mua. Nuk para kam qenë luftarake që t’i fus bërrylat (se kështu është bërë për t’u thënë) dikujt. Faktikisht kam parë punën time, kjo mbase më ka ndihmuar, por faleminderit, më bëhet qejfi që thonë kështu për mua”.

Megjithë spektaklet e ndryshme, emrin e Xhemit të gjithë e lidhin vetëm me “Portokalli”-në. Dhe asaj nuk i vjen fare keq për këtë, përkundrazi. U shfaq fillimisht aty vetëm në një sezon, bashkë me Agron Llakajn dhe Amarda Toskën në 2006-ën, për t’u rikthyer në mars të 2015-ës, dy muaj pasi kishte lindur Gabrielin, djalin e dytë. E ndanin prapë skenën tre, bashkë me Salsano Rrapin dhe Eneda Tarifën, por kështu nga jashtë duket që ajo dhe Salsano jo vetëm kanë kimi skenike, por duket të jenë edhe shokë të ngushtë. “Po, është e vertëtë, kam pasur kimi me Salsanon, veçse s’mund të them që javët e para. Por u lidha më shumë pasi iku dhe Eneda për në ‘Eurovizion’. Atëherë patëm më shumë mundësi që të punonim me njëri-tjetrin dhe u bëmë shokë të ngushtë”. Po me Enedën? “Me Enedën? Me Enedën kam tentuar që të jem shoqe, por nuk ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”.

Ama ka edhe të tjera miqësi brenda asaj trupe. “Shkoj shumë mirë me Salsanon, me Gazin, me Ledion. Tani unë mirë shkoj me të gjithë, që të kuptohemi, por me këta pak më shumë. Pastaj dhe me Albana Perhatin, Algionën edhe me Flor Binajn, me të cilin kam pasur më tepër marrëdhënie kur kam qenë në sezonin e parë fare. E njoh më përpara se Gazin, se Salsanon, por tani nuk është se bëhemi shumë”. Gjithsesi me Florin ajo pati dhe rolet në rubrikën “Atentatet”, ku spikati për natyrshmërinë në interpertim, më natyrshëm se shumë nga ata që mbarojnë shkollë aktrimi, për të parën herë me një përshtatje të ‘Koncert në vitin ‘36”. Ajo vetë, nga një dyzinë “filmash” të tillë pëlqen “Shamikuqen” dhe “Ronin” (sipas një film japonez). Ndërsa gjithë të tjerët të preferuar kanë “Shamikuqen”.

Ajo vetë i ka shijuar të gjitha. Tashmë që është jashtë mund të thotë me gojën plot që “Portokalli” është ajo që ka dashur më shumë, që në sezonin e parë fare kur ishte në skenë me Gonin dhe Amin. “Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi”, thotë ajo. – “I kam bërë se duheshin, por jo nga pasioni apo dëshira. I bëja, sepse doja të rikthehesha në ‘Portokalli’”. Dhe kështu u rikthye, për plot pesë vjet, jo thjesht si prezantuese, por duke marrë kënaqësine me “Atentatet”, derisa iku dhe kjo kënaqësi. “Prandaj dhe u tërhoqa nga ‘Portokallia’ sepse s’po merrja më kënaqësi,  dhe prandaj po them duhet të ndodhë ndonjë çudi që unë të rikthehem prapë, gjithmonë në një format të ngjashëm me ‘Portokalli’-në. Nuk kam fare ambicien që të bëj programe të tjera”. Pra, i bie që Xhemi të thotë “jo” direkt, çfarëdo oferte që të jetë. “Direkt “jo”. Kështu që me shumë gjasa i bie që unë jam tërhequr dhe e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin, sepse nuk është se mendoj se do bëhet diçka po aq e mirë sesa ‘Portokalli’-a dikur, sepse kjo që po shohim tani nuk mendoj se është maksimumi i atij spektakli. Ose mbase dhe është ezauruar dhe me kohën… Nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk më tërheq më”.

Dhe në këtë pikë Xhemi është e sinqertë, nuk bën sikur ka shumë punë, sikur nuk ka kohë, apo sikur nuk i ka interesuar të shohë si dukej skena e spektaklit të dielën e parë pa të. “Të dielën e parë, po, po e pashë, pastaj të dytën nuk e shtyva dot, e lashë përgjysmë. Por jo se nuk isha unë. Mendoj se i mungonte regjisori atij programi”./ revistawho.com

TAGS