Ronaldo futbollisti më i paguar në Angli, objektivi i radhës një hotel në Manchester

Ronaldo futbollisti më i paguar në Angli, objektivi i radhës një hotel në Manchester

Cristiano Ronaldo do të jetë futbollisti më i paguar në ishull. 36-vjeçari portugez pranoi të ulë pagën për t’u rikthyer në radhët e “djajve të kuq”, duke i kthyer shpinën kampionëve në fuqi të Manchester City-t. Vendimi i tij i papritur shtangu drejtuesit e City-t dhe tashmë krerët e “sky blues” janë armiqësuar keqas me Jorge Mendes-in, menaxherin e yllit luzitan. Sipas mediave britanike 55-vjeçari nga Lisbona këshilloi CR7 për të ndërruar mendje, pavarësisht faktit se ishte pikërisht ai vetë personi që po ndërmjetësonte në bisedimet ndërmjet futbollistit portugez dhe krerëve të City-t. Historia dihet, Cristiano ndryshoi destinacion, falë edhe ndërhyrjeve të shumta të ish-futbollistëve të famshëm të “red devils” Gary Neville, Rio Ferdinand, Patrice Evra, por sidomos pas telefonatës që pati me ish-trajnerin e tij te United Alex Ferguson.

Tani “Telegraph” bën të ditur se Cristiano Ronaldo do të shndërrohet në lojtarin më të paguar të Premiership-it Anglez, duke kaluar në këtë mënyrë edhe rrogën e kilianit Alexis Sanchez, që përfitonte plot 560.000 stërlina në javë, bashkë me bonuset apo dhe të drejtat e imazhit, sidoqoftë shumë larg yllit tjetër argjentinas Lionel Messi, që merr plot 1.000.000 pound në javë te Paris SG. Në Mbretërinë e Bashkuar mediat zbuluan detajet e marrëveshjes dhe Cristiano ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, që përmban gjithashtu edhe opsionin e 12 muajve shtesë. Familja Glazer që zotëron klubin e Manchester United synon rikthimin e “djajve të kuq” te titulli pas tetë vjetësh dhe në fakt pronarët amerikanë të “red devils” nuk janë kursyer aspak, por kanë shpenzuar para për të kënaqur trajnerin norvegjez Ole Gunnar Solskjaer dhe fuqizuar njëkohësisht skuadrën edhe me emra të tillë si Jadon Sancho dhe Raphael Varane.

12 vjet më parë pasi fitoi gjithçka mund të fitohej me Manchester United ylli portugez la “djajtë e kuq”, për t’u transferuar në Primera Division, në radhët e Realit të Madridit. CR7 është i vetmi lojtar në historinë e këtij sporti që ka fituar gjithçka mund të fitohej në dy kampionate të ndryshme dhe me dy klube si United apo Reali i Madridit. Ndërkaq në ishull mediat kanë zbuluar gjithashtu edhe interesimin e Cristianos për të zgjeruar akoma më shumë rrjetin e tij të hoteleve. Në këtë mënyrë pas hoteleve luksoze në Madeira, Lisbonë, New York, Madrid, Marrakech dhe Paris Cristiano ka vendosur të ndërtojë një tjetër hotel në Qytetin e Mancesterit. Duke lënë mënjanë dy hotelet në atdhe të gjithë hotelet e tjera pas vitit 2015 Ronaldo i ka ndërtuar në bashkëpunim me Grupin Pestana.

Pikërisht në vitin 2015 pranë Stadiumit “Old Trafford” hapën hotelin e tyre edhe 6 ish-futbollistët e Manchester United, të ashtuquajturit The Class of 92, pasi bëhet fjalë për 6 miqtë e hershëm që dolën nga Akademia e United dhe shpërthyen pikërisht në fillim të viteve 90 te “red devils”, pra pikërisht emra të tillë si Ryan Giggs, David Beckham, vëllezërit Gary dhe Phil Neville, Paul Scholes si dhe Nicky Butt. “The Sun” ka zbuluar se hoteli më i fundit që do të ndërtojë Cristiano në Manchester do të ketë inicialet e tij dhe sipas parashikimeve pritet të hapet në vitin 2023. Ky projekt prej 27 milionë dollarësh tashmë ka marrë aprovimin e nevojshëm dhe bëhet fjalë për një hotel 11-katësh tepër luksoz, me 150 dhoma, si dhe me një bar të veçantë në pjesën e tarracës, që do të ndërtohet në Distriktin Piccadilly Gardens.

TAGS