Një avantazh jo i vogël për të besuarit e Çavit, por trajneri i katalanasve nuk i zë besë Realit. Jo më kot edhe pas takimit të fituar në Madrid, ai ka qenë i përmbajtur në deklaratat e tij.
“Nuk ka përfunduar asgjë. Reali i Madridit është një skuadër e madhe që di të përmbysë rezultatet. Ne kemi fituar, por Reali mbetet sërish favorit”, ishin disa nga frazat e trajnerit të Barcelonës pas suksesit në “Bernabeu”.
Ndoshta ai ka të drejtë, duke parë historinë e Realit. Por natyrisht që tashmë është skuadra e tij që ka gjithçka në dorë. Nga ana tjetër, Reali i Madridit është i detyruar të shkojë në fillim të prillit në Barcelonë me një objektiv të vetëm: të fitojë për të parë më pas se çfarë do të ndodhë.
Humbja e pësuar të enjten ia dikton një mision të tillë skuadrës së Ançelotit. Italiani ka qenë optimist edhe pas humbjes. “Los Blancos” u besojnë shifrave dhe historisë për të menduar në një përmbysje që do t’u jepte dhe biletën për të shkuar në finalen e madhe të 6 majit në “La Cartuja” në Sevilje.
Shifra që i bën madrilenët optimistë është se ata kanë munduar të kualifikohen tri herë përballë Barcelonës pa mundur të fitojnë takimin e parë. Për ta bërë me intriguese historinë, është se të tria përmbysjet kanë ardhur në Kupën e Mbretit siç është dhe çifti aktualisht.
Përmbysja e parë daton në vitin 1962, me Realin që mundej në ndeshjen e parë 0-1 dhe fitonte atë të kthimit me shifrat 3-1. E dyta do të vinte 31 vjet më pas (1993), me takimin e vajtjes që mbyllej 1- 1 dhe në takimin e kthimit Reali fitonte 2-1.
Më e fundit është përballja e dyfishtë në vitin 2013 me 1-1 në takimin e vajtjes dhe fitoren 3-1 në ndeshjen e kthimit.