26 July 2018 / 16:24
Maqedonia shënon 55 vjetorin e tërmetit të madh prej 6,1 shkallë i cili mori jetën e 1.070 njerëzve dhe 4 mijë të tjerë u lënduan. Nga goditjet u shkatërruan 15.800 ndërtesa, 200 mijë persona mbetën pa kulm mbi kokë. Qytetarët të cilët kanë përjetuar tërmetin sot tregojnë për momentin e tërmetit të cilin e cilësojnë si më të tmerrshmin.
“Unë e përjetova. Çfarë të ju them, ishte e tmerrshme. Një ditë më parë isha në Mavrovë dhe sapo isha kthyer në mbrëmje, të nesërmen në mëngjes ndodhi tërmeti. Mirë që ne gjetëm vend sa për strehim tek Kryqi i Kuq dhe nuk kishim dëme të mëdha por, kisha familjarë që kanë humbur jetën gjatë tërmetit. Çfarë të ju them tjetër ishte e tmerrshme”.
“Të ju tregoj gjithë momentin me duhet shumë kohë. Në kohën e tërmetit unë isha këtu, kishte njerëz nëpër rrugë, të lënduar, të shtrirë për tokë. Njerëz duke qarë ishin të shkatërruar Ishte e tmerrshme”.
“Tërmeti ishte i vështirë, njerëzit nuk dinin nga të shkojnë, çfarë të bëjnë. Dikush nëpër parqe e dikush diku tjetër u strehuan”.
Sizmologu në pension Mihajl Garevski thotë se fat i madh në atë fatkeqësi ka qenë që nuk kanë punuar shkollat dhe shumica e njerëzve ishin në pushime. Ai thotë se ndërtesat e reja mund të përballojnë tërmet sikur ai i vitit 1963.
Praktikisht që nga viti 1964 kur u sjell ligji për Projektim sizmik në gjithë ish Jugosllavinë, mund të them lirisht se ndërtesat që nga vitet 70, 80 dhe deri më tani janë më cilësore, kryesisht janë të sistemuar me beton të përforcuar, ose me sistem 3 dimensional, sisteme të përziera etj. Lirisht mund të themi që ndërtesat e reja të projektuara të cilat kanë marrë parasysh forcat sizmike, shumë lehtë mund t’a përballojnë tërmetin e vitit 1963 – deklaroi Mihajl Garevski, Sizmolog në pension.
Për të përkujtuar përvjetorin e tërmetit, në 5 lokacione në Shkup në orën 5.17 të mëngjesit u realizua aksioni audio-artistik nën kolonën zanore “Zgjohu Shkupi” për t’i përkujtuar qytetarëve kohën e saktë të tërmetit katastrofik.
Valmira Zendeli