QKRMT e shqetësuar me kohëzgjatjen e shqyrtimit të aplikacionit për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka shprehur sot shqetësimin për kohëzgjatjen në trajtimin e kërkesave për njohjen e statusit të personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

QKRMT përmes një njoftimi për media bën të ditur se ka raste të cilat janë duke pritur për më shumë se dhjetë muaj për shqyrtimin e aplikacionit.

“Vonesat dhe pritjet në shqyrtimin e aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të aplikantëve. Në veçanti këto pritje janë dekurajuese për të mbijetuarit që ende janë në dilemë për të aplikuar apo që nuk kanë mbështetjen e familjes për këtë proces. QKRMT në vazhdimësi ka punuar dhe vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve dhe harmonizimin e qasjes së punës për anëtarët e Komisionit si dhe të të gjithë akterëve tjerë në këtë proces, duke sjellë ekspertët dhe praktikat e punës të vendeve që kanë kaluar nëpër këtë proces”, thuhet në njoftim.

Sipas QKRMT-së, përkundër vështirësive të Komisionit për t’i trajtuar kërkesat brenda një periudhë të shkurtër, organizimi i Komisionit dhe modeli i Kosovës, po vlerësohet ndërkombëtarisht si njëri ndër më të mirët në fushën e reparacionit për viktimat e dhunës seksuale në konflikte, transmeton Telegrafi.

“Përgjatë një viti të punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës, raportohet se janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për njohjen e statusit, nga të cilat rreth 200 personave iu është njohur statusi ‘viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës’ ndërsa rreth 100 kërkesa janë refuzuar. QKRMT si organizatë e autorizuar nga MPMS, ka përgatitur dhe dërguar në Komision 214 kërkesa, nga të cilat 41 aplikuesve iu është njohur statusi, një është refuzuar, një është në proces të rishqyrtimit, ndërsa të tjerat janë në pritje të përgjigjes. Po ashtu, 5 rasteve që iu është refuzuar kërkesa për njohjen e statusit (raste që kanë aplikuar nga mekanizmat e tjerë), QKRMT iu ka përgatitur Paditë për Gjykatë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, 19 vjet pas përfundimit të luftës, më 05.02.2018 zyrtarisht filloi pranimi i aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo u bë e mundur pas shumë përpjekjeve të organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile si dhe vet të mbijetuarve. Fillimisht (në prill 2014) u miratua ligji i cili përfshiu edhe viktimat e dhunës seksuale nga koha e luftës, mirëpo u desh të kalonin katër vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit që të fillojë zbatimi i tij në praktikë dhe të fillonte procesi i aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe atë pas insistimit të vazhdueshëm nga QKRMT dhe organizatat e tjera. /Telegrafi/

TAGS