Qeveria kineze publikon versionin e saj për origjinën e koronavirusit

Qeveria kineze publikon versionin e saj për origjinën e koronavirusit

Kina që nga fillimi është konsideruar si origjina e koronavirusit dhe jo rrallëherë është akuzuar nga shumë vende, përfshirë SHBA-në, se po i fsheh të dhënat e filleve të virusit që shpejt u bë pandemi globale. Ekspertët e vendit aziatik e kanë mohuar gjithmonë këtë, ndonëse i kanë ndaluar mjekët e Wuhanit, qytetit ku nisi kriza, që të flasin për fazat e para të sëmundjes.

Qeveria kineze pretendon se COVID-19 ka ekzistuar para se të raportoheshin rastet e para në Kinë. Disa media atja pretendojnë se koronavirusi hyri në Kinë nga ushqimet e ngrira të importuara. “Koronavirusi nuk nisi në Wuhan, por, sipas ekspertëve, mund të ketë ardhur në Wuhan nëpërmjet ushqimeve të ngrira”, shkruan gazeta zyrtare e Partisë Komuniste Kineze në pushtet.

Sipas ekspertit Zeng Guang, “ka shumë mundësi që virusi të ketë ekzistuar në disa vende të tjera përpara se të vihej re në Wuhan”.

Së fundmi, Kina i ka intensifikuar kontrollet mbi ushqime e ngrira dhe ka deklaruar se ka gjetur gjurmë të COVID-19 në disa prej paketimeve. Si rrjedhojë, Kina ka vendosur rregulla të reja për importimin e ushqimeve.