Ka pritje dhe shpresa, por jo edhe garanca që Maqedonia e Veriut në qershor do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh gjendjen aktuale me Bullgarinë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe paralajmërimeve të Sofjes për qeveri teknike. Pala e Maqedonisë së Veriut disa herë njoftoi se i nevojitet bashkëbisedues konkret nga pala bullgare që të mund të vazhdojnë bisedat për zgjidhjen e kontestit.
Me qëndrime për pritjet e zhbllokimit të procesit eurointegrues dje u prononcuan zëvendës kryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, shefi i shtetit, Stevo Pendarovski dhe përfaqësuesi special i Qeverisë, Vllado Buçkovski.
Dimitrov thotë se duhet të vazhdohet me bisedë për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe për t’i filluar negociatat në BE, përndryshe, thekson, të dy vendet dhe BE do të jenë humbës.
“Ose të gjithë do të jemi humbës ose të gjithë do të jemi fitues. Sigurisht ne kemi shumë për të humbur nëse nuk ka përsëri fillim të negociatave dhe nuk ka sukses. Sidoqoftë, unë mendoj se Bullgaria gjithashtu ka shumë për të humbur, sepse ne po e humbasim mundësinë dhe duhet ta kthejmë atë, për të pasur një partneritet dhe bashkëpunim real të ngushtë. Kjo nuk shkon dhe nuk është në përputhje me bllokimin e procesit me politikën e vetos. BE gjithashtu do të humbasë shumë. Do të jetë shumë e vështirë fjalët e BE-së të trajtohen me besim dhe seriozitet, jo vetëm në vendin tonë, në të gjithë rajonin, tha Dimitrov duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ngjarjes për donacion nga Sllovakia për Klinikën për sëmundje të fëmijëve.
Ai theksoi se ka përkushtim nga presidenca portugeze që të bëhet gjithçka që është e mundur dhe prandaj dhe kmonsideron se duhet të bëjmë gjithçka për t’i përdorur shanset ashtu siç vijnë. Dimitrov shtoi se nëse shkojmë pas zgjedhjeve dhe kalendarit zgjedhor të vendeve anëtare, gjithmonë do të ketë një problem, por potencoi se nuk ka garanca se vendi do t’i fillojë negociatat në qershor.
“Nuk ka garancë të jemi realist. Unë nuk dua as ta ngre shpresën kush e di sa. E imja është ta rrisë kontributin dhe të jem sa më i sinqertë që është e mundur, si Brenda, ashtu edhe jashtë vendit”, tha Dimitrov.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dje deklaroi se nuk pret që pa partner nga pala tjetër dhe me qeveri teknike, siç tha, është e mundur kthesë lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë për anëtarësimin tonë në BE.
Ajo potencoi se atë që duhet ta bëjmë deri në qershor, theksoi ajo, është t’i përkujtojmë të gjithë se ne detyrimet tona i përmbushën dhe presim lloj të njëjtë të përkushtimit dhe qëndrueshmërisë edhe nga ana e BE-së.
“Ka një pjesë të detyrimeve që nuk varen nga ne. Ne nuk mundemi ta zgjedhin qeverinë bullgare dhe nuk mund ta krijojmë negociatorin e palës tjetër. Ajo që mund të ndikojmë është gabim ta parashikojmë”, u përgjigj ministrja Shekerinska dje pas promovimit të 55 nënoficerëve të rinj në kazermën “Ilinden” në Shkup
Shefi i shtetit Stevo Pendarovski në intervistë për MIA-n edhe një herë bëri thirrje që Bullgaria të emërojë individ ose entitet, me të cilin Maqedonia e Veriut do të mund t’i vazhdojë negociatat dhe të arrijë kompromis, me të cilin do t’i hap dyert evropiane.
Pendarovski thekson se qëndrimi ynë çdoherë ka qenë të bisedojmë për parimet evropiane dhe për standardet ndërkombëtare.
Sipas Buçkovskit, megjithatë, realisht në këtë moment nuk mund të bëjmë shumë.
“Ne jemi të gatshëm, por nga ana tjetër nuk kemi një bashkëbisedues me legjitimitet të plotë për të përfunduar negociatat me Bullgarinë”, tha mbrëmë Buçkovski në ditarin qendror në Sitel.
Ai ceku se zhvillimi i ngjarjeve në Bullgari tregon se ajo po hyn në një krizë serioze politike dhe në tre muajt e ardhshëm do të ketë një qeveri teknike që do të propozohet nga presidenti Radev.
“E gjithë kjo tregon se në periudhën e ardhshme roli i Presidentit Radev do të forcohet. Deri më tani kemi pasur kontakte të rregullta me të dhe kabinetin e tij. Duhet ta pranoj që në takimin që pata në gjysmën e dytë të dhjetorit, nuk pashë një ndryshim midis pozicioneve të mbajtura nga Qeveria dhe Presidenti. Ai me krenari tha se Deklarata në Parlament u miratua me insistimin e tij. Pra, duhet të jemi të vetëdijshëm se pozicionet bullgare do të jenë të qëndrueshme në të ardhmen, por nga ana tjetër pozicionet tona janë të qarta deri në çfarë mase dhe çfarë mund të bëjmë si koncesion në negociata. Ne themi – ne nuk shkojmë përtej kornizës së Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit dhe e konsiderojmë atë mbrojtjen tonë më të fortë. Nga ana tjetër, është e qartë se atmosfera në BE po bëhet më e favorshme për të gjetur një zgjidhje”, tha Buçkovski.
Ai theksoi se, për çështjet kryesore politike duhet të kemi një bashkëbisedues të përshtatshëm dhe shtoi se në Bullgari për momentin, megjithatë qeveritë janë ato që negociojnë.
Theksoi se ishte i bindur që marrëveshja përfundimtare do të bëhej pas zgjedhjeve Bullgare, por, thotë ai, nëse nuk arrijmë ta bëjmë atë tani, atëherë shansi i dytë është pas zgjedhjeve të tyre presidenciale që do të zhvilloheshin në nëntor-dhjetor.
Me porosi për integrimin e Maqedoniosë së Veriut në BE dje u prononcua edhe zëvendës ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Martin Klus, i cili qëndroi për vizitë në vend. Ai në promovimin e donacionit sllovak për Klinikën për sëmundje të fëmijëve porositi se qëllimi strategjik i Sllovakisë është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sa më parë të bëhen anëtare të BE-së dhe prandaj Bratisllava është kundër ndarjes së procesit inkuadrues për të dy vendet dhe konsideron se ato duhet t’i fillojnë negociatat së bashku.
“Ashtu është më lehtë edhe për të dy vendet, sepse më lehtë do të mund t’i ndajmë përvojat, madje edhe ato që i ka Sllovakia, që gjithsesi nuk janë vetëm pozitive. Nëse të dy vendet i fillojnë negociatat bashkarisht, do të mundemi më shpejtë t’i sjellim edhe Maqedoninë e Veriut edhe Shqipërinë në BE. Ky është qëllim strategjik i Sllovakisë”, theksoi Klus.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me të ashtuquajturin non-pejper që u paraqit javëve të fundit, Klus tha se ndoshta është më mirë që nuk i dimë autorët e tyre, sepse ato dokumente sjellin ide të rrezikshme për ndryshim të kufijve në rajon.
“Çdo tentim për të folur për fantazmat nga historia, madje edhe për ndryshim të kufijve duhet të niset nga tryeza. Duhet të fokusohemi në agjendën pozitive dhe në procesin e zgjerimit të BE-së, e jo në çështje historike, gjuhësore apo bilateral, Sllovakia është mbështetëse e procesit të zgjerimit të BE-së, sepse ai nuk është I rëndësishëm vetëm për rajonin, por edhe për ne”, shtoi Klus.