Presidenti i Bayernit: Kur Guardiola i do 100 milionë euro, sheiku e rrit çmimin e naftës

Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness ka folur për pafundësinë e investimeve që Pep Guardiola i ka në dispozicion në Manchester City, duke shtuar se ai mbetet krenar me mënyrën se si klubi i tij funksionon financiarisht.

Pep Guardiola iu bashkua klubit të Premierligës pasi u largua nga pozita e trajnerit të Bayernit Munichut dhe Hoeness ka zbuluar se ai ka njohuri se si funksionojnë transferimet në stadiumin Etihad, transmeton Gazeta Express.

“Shoku im Pep më ka treguar se çfarë ndodh kur ai dëshiron ta transferojë një lojtar që kushton 100 milionë euro. Ai i grumbullon disa video të lojtarit dhe ia tregon ato Sheik Mansourit [pronari i Manchester Cityt]”, ka thënë Hoeness.

“Ata e hanë një drekë të shijshme, gjatë së cilës Pepi ia tregon videot e pastaj sheiku i transferon paratë. Qysh të nesërmen, ai do t’i ketë mbuluar shpenzimet përmes çmimit të naftës”.

Edhe vetë Bayerni është duke u përgatitur për investime të mëdha dhe Hoeness ka zbuluar se ata do ta bëjnë investimin më të madh në historinë e klubit, pasi që i kanë në dispozicion 200 milionë euro për t’i shpenzuar gjatë verës.

Megjithatë, paratë e tyre nuk vijnë nga një burim i jashtëm, por përmes kursimeve të vetë klubit.

“Jam krenar që ne nuk duhet të shkojmë në asnjë departament për kredi”, shtoi Hoeness.

Bayerni besohet se është i gatshëm t’i shpenzojë deri në 80 milionë euro për Nicolas Pepen e Lille, sipas beIN Sports. /Gazeta Express/

TAGS