Përfaqësuesi nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës: Kemi shqetësim të madh për grevën, nuk përjashtojmë protestat (Video)

Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka thënë se prindërit dhe fëmijët e tyre janë viktimat e vetme të grevës në arsim.

Hoxha, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se nëse nuk ka zgjidhje, Këshilli i Prindërve të Prishtinës nuk përjashton protestat për të kërkuar kthimin e fëmijëve në bankat e shkollës.

“Ne nuk duam të dalim në protesta kundër Qeverisë apo SBASHK-ut, por protestojmë për të drejtën e fëmijëve tonë për t’u kthyer në shkollë”.

Hoxha ka thënë se si prindër janë të shqetësuar me koeficientin që u është vendosur mësimdhënësve, pasi sipas tij “koeficienti më i madh për arsimtarët, do të nënkuptonte edhe përgjegjësi më të madhe”.

Përfaqësuesi nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka thënë se edhe këto dy javët e humbura mund të mos jenë asgjë, nëse zgjidhet problemi njëherë e përgjithmonë.

“Nëse bëhet një zgjidhje e përkohshme e përsëriten grevat në shtator, nuk kemi bërë asgjë”.

Ai ka thënë se shqetësimi i prindërve është i madh se greva mund të vazhdojë, por shpresojnë në një zgjidhje mes SBASHK-ut dhe institucioneve.

“Ne e kemi edhe anën demokratike të protestave për të bërë një zgjidhje. Nuk duam të bëjmë presion as ndaj Qeverisë as ndaj SBASHK-ut, duam zgjidhje”, tha ndër të tjera Nexhmi Hoxha./Telegrafi/

TAGS