Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të temperaturave në Maqedoninë e Veriut nga data 20 deri më 24 korrik 2025. Në disa rajone, termometri pritet të shënojë deri në 41°C.
Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar qytetarët që të marrin masa mbrojtëse për përballimin e të nxehtit ekstrem, veçanërisht gjatë orëve më kritike të ditës, prej ora 11:00 deri në 17:00.
Rekomandimet kryesore për qytetarët:
-
Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta.
-
Konsumoni sa më shumë lëngje; shmangni pijet alkoolike dhe ato me sheqer.
-
Vishuni me rroba të lehta dhe të çelëta; përdorni kapelë dhe syze dielli.
-
Shmangni aktivitetet fizike në periudhat me nxehtësi ekstreme.
-
Kujdes i veçantë për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Në rast të shfaqjes së simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Ministria thekson gjithashtu rëndësinë e krijimit të kushteve mikroklimatike të përshtatshme (deri në 25°C) si në shtëpi ashtu edhe në vendin e punës.
“Po e ndjekim situatën në baza ditore dhe do të veprojmë sipas vlerësimeve dhe nevojave”, thuhet në njoftimin zyrtar.