Nis stërvitjet Eriksen, për herë të parë që prej sulmit në zemër në Euro 2020

Nis stërvitjet Eriksen, për herë të parë që prej sulmit në zemër në Euro 2020

Christian Eriksen është rikthyer në stërvitje në njërin prej klubeve të tij të para në Danimarkë, për herë të parë që prej arrestit kardiak që e pësoi në Euro 2020.

Erikseni nuk ka luajtur futboll që prej arrestit kardiak që i ndodhi derisa po luante për Danimarkën kundër Finlandës në qershor.

Mesfushorit të Interit ia shpëtuan jetën mjekët në fushë duke i dhënë ndihmë të shpejtë mjekësore.

Autoritetet shëndetësore në Itali ia kanë ndaluar Eriksenit të luajë në Serie A, për shkak të një ligji që e ndalon përdorimin e defibrilatorit kardioverter. Një i tillë i është vendosur në zemër danezit.

Të enjten, klubi danez Odense Boldklub – ku Erikseni luajti nga viti 2005 deri më 2008 para se t’i bashkohej Ajaxit në Holandë – ka thënë se mesfushori i ka nisur ushtrimet në qendrën e tij stërvitore.

“Erikseni na kontaktoi dhe tani po stërvitet i vetëm”, ka thënë një zëdhënës i Odense Boldklub.

“Është e natyrshme për të, duke qenë se ka luajtur këtë në rininë e tij dhe jeton afër. Ne jemi të lumtur që jemi në gjendje t’i ofrojmë atij qendrën stërvitore për të ushtruar”, shtoi ai.

TAGS